back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëViktima e parë e Reformës së (Pa)Drejtësisë

Viktima e parë e Reformës së (Pa)Drejtësisë

Etleva Skonja

Plumbat që ekzekutuan gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nuk ishin vetëm të autorit. Ishin plumbat e një sistemi të degraduar, të një reforme që në emër të drejtësisë e ka shndërruar drejtësinë në kaos.

Kujtojmë propagandën e viteve të fundit: Reforma do të pastronte gjyqësorin, do të sillte besim, shpejtësi, barazi. E çfarë solli realisht? Gjykata të mbyllura, qytetarë të sorollatur, dosje që zvarriten me vite e vite. Një gjyqtar në Tiranë sot mban në kurriz barrën e dhjetëra gjykatave të shkrira. Çdo proces është kthyer në torturë për palët dhe në mallkim për ata që duhet të japin drejtësi.

Qytetarët vriten çdo ditë nga reforma

Prej implementimit të reformës në drejtësi, shumë gjykata apeli në rrethe u shkrinë dhe dosjet u grumbulluan në pak institucione qendrore. Qytetarët nga gjithë Shqipëria u detyruan të sorollaten me vite të tëra nëpër korridoret e drejtësisë, ndërsa gjyqtarët u ngarkuan me një volum të papërballueshëm çështjesh. Rezultati? Dosje të pluhurosura, procese të zvarritura, njerëz që humbasin shpresën dhe një sistem që nuk arrin të japë vendime në kohë.

Çdo ditë, mijëra qytetarë udhëtojnë drejt Tiranës për të ndjekur proceset e tyre, duke shpenzuar kohë, para dhe energji. Dosjet e mbetura pa gjyq, vonesat që shkojnë me vite dhe mungesa e gjyqtarëve të mjaftueshëm kanë krijuar një klimë pasigurie dhe mosbesimi total ndaj sistemit. Reforma që u propagandua si shpëtim, në fakt ka rezultuar shkatërrim i strukturës së gjykatave dhe shuarje e besimit të qytetarëve.

Gjyqtarët, viktima të dyfishta

Sot u vra me plumba një gjyqtar, por në fakt ai me kolegët e tij u janë vranë prej kohësh nga reforma. Ata janë lënë në mëshirë të një sistemi të mbingarkuar, pa siguri të brendshme në sallat e gjyqit dhe me një presion publik të madh mbi vendimet e tyre. Kur shteti nuk garanton as minimumin e sigurisë fizike e profesionale, gjyqtari nuk është thjesht shërbyes i ligjit, por shënjestër e radhës.

Vrasja e Astrit Kalajas është kambana e alarmit. Por ajo nuk duhet parë vetëm si një akt kriminal individual. Duhet parë si pasojë direkte e dështimit të reformës në drejtësi, që në emër të pastrimit dhe konsolidimit, shkatërroi ekuilibrin institucional dhe i la qytetarët dhe gjyqtarët pa mbrojtje. Përndryshe, edhe pa armë, gjyqtarët dhe qytetarët do të vazhdojnë të vriten nga kjo reformë e gjymtuar.

Pyetja e madhe

Kush e vrau Astrit Kalane? Veç autorit me armë në dorë, fajtorë janë ata që ndërtuan një sistem ku drejtësia nuk funksionon, ku gjyqtarët janë shënjestra, ku qytetarët zvarriten dhe ku shteti mbyll sytë. Reforma në drejtësi ishte premtuar si rilindje, në fakt u kthye në varrin e drejtësisë shqiptare.

Ekzekutimi i gjyqtarit/ Si arriti autori të futej i armatosur në sallën e gjyqit

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat