Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit.
Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë.
Kryesuesi i Komisionit, Artan Abrashi paraqiti para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve, bazuar në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, përmban edhe listën e 120 deputetëve të rinj.
Pas votimit unanim për raportin e mandatit të deputetëve, deputetët e zgjedhur kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës.
Ata u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.
Teksti i deklaratës së betimit
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit.
Betohem!”/ REL