Përveç vëllezërve Shkëlqim dhe Florjan Duka, tashmë të arrestuar, policia dyshon se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi. Zëvendës drejtori i policisë së Tiranës, Erion Ismaili ka deklaruar për emisionin “Gjërat tona”, se shumë shpejt do të dalin me një version zyrtar.
“Në momentin e parë që ne i kemi intervistuar nuk kanë mbajtur qëndrim mohues, të paktën ish-punonjësi i Policisë. Nuk ka dhënë shpjegime. Ka qenë i paqartë në raport me çfarë e pyesnim dhe unë mendoj që duhej të ishte më i qartë për sa i përket kësaj, për shkak edhe të profesionit që ai ka. Dhe vëllai i vet ka qenë në pozicion mohues, duke ngritur versione dhe alibi të ndryshme lidhur me situatën e ngjarjes, konfliktet që kishin me viktimën.
Pastaj në momentin final që janë pyetur me procesverbal zyrtar hetimor nuk kanë dhënë shpjegime, kanë thënë që nuk do japim shpjegime por do t’i japim në një seancë tjetër pyetjesh. Grupi hetimor, pavarësisht se ku jemi sot lidhur me këtë ngjarje, ne kemi pistat tona të hetimit dhe mendojmë që në këtë ngjarje duhet të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, për të cilën ne jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të dalim në një version zyrtar për të reja të tjera lidhur me këtë ngjarje.“, deklaroi Ismaili.