KreuAktualitetPolitikaRama paralajmëron gjoba deri në 500 mijë lekë për protestuesit/ Çfarë parashikon...

Rama paralajmëron gjoba deri në 500 mijë lekë për protestuesit/ Çfarë parashikon paketa e re

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe akteve të anarkisë urbane, e cila parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për personat që marrin pjesë në tubime të dhunshme dhe nuk largohen pas paralajmërimeve të policisë.

Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore, që sipas Ramës synojnë ndëshkimin e akteve të dhunës, riparimin e dëmeve ndaj pronës publike dhe private, si dhe forcimin e masave që mund të marrë policia gjatë tubimeve.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se përgjegjësia do të jetë individuale dhe se gjobat nuk do të vendosen thjesht për faktin se dikush ka marrë pjesë në një protestë. Sipas tij, masat do të synojnë personat që qëndrojnë në tubime të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë ose kryejnë veprime të kundërligjshme.

Nga ky rregull, sipas njoftimit të Ramës, do të përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit që janë në krye të detyrës dhe kalimtarët e rastësishëm. Për të miturit, gjobat parashikohet të paguhen nga prindërit ose kujdestarët.

Një nga instrumentet kryesore të paketës është ligji për riparimin e dëmeve, i hartuar sipas modelit francez. Rama tha se synimi është që kostot e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve të mos rëndojnë më mbi taksapaguesit, por të paguhen nga personat përgjegjës.

Sipas kryeministrit, ky mekanizëm do të zbatohet për tubimet publike, përfshirë edhe grumbullimet sportive e festive, kur shkaktohen dëme materiale në pronën publike ose private.

Ndryshime parashikohen edhe në ligjin për tubimet. Sipas paketës së prezantuar, pjesëmarrja në tubime pa leje dhe mosbindja ndaj urdhrave do të ndëshkohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për person, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë të reja.

Për bllokimin e qarkullimit parashikohet një gjobë prej 5 mijë lekësh të reja për çdo pjesëmarrës. Gjithashtu, policisë synohet t’i jepen kompetenca për të kufizuar tubimet deri në 72 orë në zona përreth objekteve të caktuara.

Pjesë e paketës janë edhe krijimi i një regjistri elektronik për personat që kryejnë akte dhune, ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin e Procedurës.

Rama deklaroi se paketa është hartuar pas konsultimeve me ekspertë europianë dhe në koordinim me partnerët francezë dhe italianë. Ai pretendoi se masat janë në përputhje me Kushtetutën, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it.

Paketa e prezantuar nga kryeministri synon të forcojë ndëshkimin e akteve të dhunës gjatë tubimeve, por efektet konkrete të masave do të varen nga përmbajtja përfundimtare e akteve ligjore dhe mënyra se si ato do të zbatohen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat