Një procesverbal i zgjedhjeve për kryetar të degës së Partisë Demokratike në Kurbin ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rregullsinë e procesit të votimit.
Sipas të dhënave të pasqyruara në dokument, në votim kanë marrë pjesë 784 anëtarë, ndërsa gjatë numërimit në kuti janë gjetur rreth 1500 fletë votimi, një diferencë e konsiderueshme që ka nxitur dyshime për parregullsi.
Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një gabim në përllogaritje nga ana e komisionerëve apo për një rast të mundshëm manipulimi të procesit zgjedhor, përmes shtimit të fletëve në kuti.
Strukturat lokale nuk kanë dhënë ende një sqarim zyrtar lidhur me këtë mospërputhje, ndërsa pritet një reagim nga organet drejtuese të Partisë Demokratike.
Rasti pritet të verifikohet për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një gabim teknik apo me shkelje të rënda të procedurave zgjedhore.




