NGA MERLIN TUSHE
Nën sloganin: “Thyeni Heshtjen! Jepini fund Dhunës! Flisni! Qëndroni të Forta! Jo më Abuzim”, filloi punimet sesioni jubilar për 25-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Çdo vit OKB u bën thirrje qeverive dhe OJQ-ve në mbarë botën që të bëjnë përpjekje dhe të investojnë në parandalimin e dhunës ndaj grave. Iniciativa globale për eliminimin e dhunës nga partneri intim përfshin 16 ditë nga aktivizimi i saj, deri në ditën e përcaktuar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut”.
Sipas OKB-së, nisma UNITE shërben për parandalimin e dhunës nga partnerët intimë, ku përfshihen rrahjet, abuzimet psikologjike, përdhunimet në martesë, femicidi, dhuna seksuale, përdhunimet, aktet seksuale të detyruara, abuzimi seksual tek fëmijët, ngacmimi në rrugë, përndjekja, ngacmimi kibernetik, trafikimi njerëzor, skllavëria, shfrytëzimi seksual, gjymtimi i organeve gjenitale të femrave dhe martesat e fëmijëve. Dhuna me bazë gjinore mund t’i ndodhë kujtdo, duke përfshirë vajzat e reja dhe gratë e moshuara pavarësisht statusit që mund të kenë, të migrimit, identitetit etnik apo fetar, gratë me aftësi të kufizuara e shumë të tjera.
Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin ka treguar se më shumë se 5 gra ose vajza vriten çdo orë nga dikush në familjen e tyre. Në vitin 2020, rreth 47,000 gra dhe vajza u vranë në mbarë botën nga partnerët e tyre intimë ose anëtarë të tjerë të familjes. Azia është rajoni me numrin më të madh të viktimave në terma absolute, me rreth 18,600 viktima. Afrika është rajoni me nivelin më të lartë në raport me madhësinë e popullsisë së saj femërore. Gjatë punimeve të kësaj konference të rëndësishme, fjalën e mori edhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Misionit të OKB-së në Nju Jork, zj. Suela Janina.
Dhuna dhe abuzimi seksual lënë pas pasoja të rënda psikologjike, seksuale dhe dëmtojnë shëndetin riprodhues, që shpesh prekin gratë dhe vajzat gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shton akoma edhe më shumë arsyen që përpjekjet për parandalimin e dhunës, abuzimeve dhe krimit ndaj grave dhe fëmijëve të jenë sa më intensive e të pandërprera.
Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” që me kontributin e saj vullnetar luan një rol të rëndësishëm në zbutjen e dhunës dhe abuzimit ndaj grave dhe fëmijëve në SHBA, me përkrahjen e Misionit Shqiptar të OKB-së, veçanërisht ambasadores Suela Janina, mori pjesë në punimet e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më datë 25 nëntor në Selinë Qendrore të OKB në Nju Jork.