Komisioni i Ankesave i ka hapur rrugën Parlamentit të miratojë “Paketën e Maleve” dhe ndryshimet në skemën e TVSh-së për bujqësinë, pasi ato nuk shkelin rregullat para zgjedhore. Më herët, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi kishte bllokuar nismën e qeverisë duke pretenduar se binte ndesh me ligjin elekoral.
Celibashi në vendimmarrjen e tij konstatoi se nismat “prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale” dhe në këtë kontekst i kërkoi Kuvendit që të mos i shqyrtonte.
“Propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore ndalohet jo kur ka lidhje me fusha apo sektorë të caktuar, as kur prek politikat sektoriale, por kur sjell përfitime për kategori të caktuara të popullsisë. Pa përfitim nuk ka ndalim”- thuhet në argumentimin e vendimit të KAS.https://www.youtube.com/embed/zON-CUOPTPo?feature=oembed
Pas vendimit të KAS ka reaguar ministri i Turizmit dhe Ekonomisë, Blendi Gonxhja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se “ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi”.
Postimi
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përshëndet vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e procedurave parlamentare në miratimin e projektligjit “Për Paketën e Maleve”!
Ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi!
Jemi të lumtur që nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa, duke garantuar qasje të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave malore, bazuar në standarde dhe praktika më të mira!
“Paketa e Maleve”, synon të nxisë investime në zonat malore duke ofruar mekanizma lehtësues për privatizimin e tokës shtetërore.