Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të ketë takim lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni në një konferencë për media të hënën.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel që nga emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i posaçëm për dialog, në vend të Miroslav Lajçakut.
Kujtojmë se që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë raund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
E gjithë kjo ndodhi për shkak të krizave dhe tensioneve në veri të Kosovës.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në shkurt të vitit 2023 kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq pas një muaji, me 18 mars janë pajtuar për aneksin e zbatimit të saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, zbatimi i saj ende nuk shihet në horizont.