Krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë janë kthyer në kërcënime serioze sigurie për Bashkimin Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Paralajmërimi vjen nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë Forumit të Kryeprokurorëve të Rajonit, ku theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit përtej kufijve dhe ndërtimin e institucioneve të forta drejtësie.
“Rrjetet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin apo për t’iu shmangur drejtësisë,” deklaroi Gonzato, duke shtuar se këto fenomene dëmtojnë rëndë kohezionin social, ekonominë dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Ai theksoi se prokuroritë e pavarura dhe të guximshme janë parakushte për procesin e anëtarësimit në BE: “Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet aspirante. Rezultatet konkrete janë thelbësore për integrimin.”
Ambasadori vlerësoi angazhimin e vendeve të rajonit për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë të përbashkët, ndërsa vuri në dukje se progresi në këtë drejtim është çelës për të ecur përpara drejt BE-së.