back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 22 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetMesazhi nga Strasburgu: Shqipëria e ka vendin në BE

Mesazhi nga Strasburgu: Shqipëria e ka vendin në BE

Parlamenti Evropian ka miratuar në seancën plenare të 9 korrikut në Strasburg Raportin mbi progresin e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, pas miratimit paraprak nga Komisioni për Punë të Jashtme (AFET) më 4 qershor. Ky dokument përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional për ecurinë e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Qeveria shqiptare ka mirëpritur raportin, duke e cilësuar atë si një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme që procesi i zgjerimit gëzon në institucionet e BE-së. Në një reagim zyrtar, ajo ka falënderuar eurodeputetët për vëmendjen e treguar ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ka shprehur mirënjohje të veçantë për Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Schieder, për qasjen e tij objektive dhe konstruktive.

Raporti përshkruan me gjuhë inkurajuese progresin e Shqipërisë në reformat kyçe që lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, demokracinë, të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe modernizimin e administratës publike. Po ashtu, dokumenti fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të mbajnë një qasje të drejtë dhe të bazuar në merita ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Miratimi i këtij raporti vjen vetëm një ditë pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili vlerëson përparimin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe reformave të sundimit të ligjit.

Në përfundim, qeveria ka riafirmuar përkushtimin e saj për të vijuar me ritëm të shtuar reformat integruese dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet evropiane. Shqipëria, theksohet në reagim, mbetet e përkushtuar ndaj procesit rigoroz dhe transformues të anëtarësimit në BE.

Ashtu siç u shpreh edhe raportuesi Schieder në seancën plenare: “E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.”

 

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat