back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaBanka e Shqipërisë dhe FMN: Dialog mbi politikat për zhvillim të qëndrueshëm...

Banka e Shqipërisë dhe FMN: Dialog mbi politikat për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet financiar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet ekonomike, monetare dhe financiare në vend, si dhe politikat e duhura për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Sejko theksoi se ekonomia shqiptare po rritet me ritme të qëndrueshme, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare mbeten të qeta. Ai vuri në dukje se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushtet e nevojshme për stabilitetin e çmimeve, duke ndërmarrë masa lehtësuese në fillim të korrikut për të mbështetur objektivat e inflacionit.

Gjithashtu, Guvernatori informoi për përmirësimet në sektorin bankar, ku kredia me probleme ka rënë në nivelin më të ulët që prej vitit 2008, duke reflektuar një ekonomi më të fortë dhe bilance të qëndrueshme në sektorin privat.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së shprehën mbështetjen për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe theksuan rëndësinë e vijimit të regjimit të kursit të lirë të këmbimit, si një instrument kyç në menaxhimin e goditjeve të jashtme dhe integrimin në standardet e Bashkimit Evropian.

Ata gjithashtu vlerësuan nismat për forcimin e mbikëqyrjes bankare, përmirësimin e kuadrit rregullator për mbrojtjen e konsumatorëve dhe zhvillimin e sistemit të pagesave. Misioni i FMN-së nënvizoi rëndësinë e pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës së Bankës Qendrore për stabilitetin monetar dhe financiar, si dhe për besimin e investitorëve vendas dhe të huaj.

Takimi konfirmoi marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe FMN-së, duke përgatitur nisjen e një programi vlerësimi të sektorit financiar gjatë vitit të ardhshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat