Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen ka miratuar me shumicë votash aktin normativ që parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, duke vendosur kufizime të reja për zhvillimin e protestave dhe masa më të ashpra për shkelësit.
Akti normativ u miratua me vetëm një votë kundër dhe një abstenim. Ndryshimet parashikojnë përcaktimin e zonave të mbrojtura pranë institucioneve, përshkallëzimin e gjobave për protestuesit, si dhe masa për parandalimin e thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale.
Gjatë raportimit në komision, zv.ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, argumentoi se ndryshimet synojnë mbrojtjen e institucioneve dhe parandalimin e akteve të dhunshme gjatë tubimeve.
“Krijimin e mundësisë që këto kufizime të përkohshme të mbrojnë institucionet. Zona të mbrojtura. Parandalimi i thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Dokumentimi audiovizual i thirrjeve. Përshkallëzimi i gjobave”, deklaroi Qefalia.
Nga opozita, deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, kundërshtoi ndryshimet, duke i cilësuar ato si një përpjekje të qeverisë për të frikësuar qytetarët dhe për të kufizuar të drejtën e protestës.
Ai paralajmëroi se opozita do ta dërgojë aktin normativ në Gjykatën Kushtetuese, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si do të kontrollohen thirrjet në rrjetet sociale pa një vendim gjykate.
“Qeveria po përdor gjobat e larta me qëllim si mjet frikësimi ndaj qytetarëve. Ne këtë do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Të jeni të sigurt që kjo do të anatemohet. Si kontrolloni rrjetet sociale pa një vendim gjykate? Ndërhyni në jetën private. Qeveria nuk mbahet me masa agresive. Nuk mbahet me zor karrigia”, deklaroi Çelaj.
Në komision raportoi edhe drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, i cili pretendoi se gjatë zbatimit të aktit normativ janë ulur aktet e dhunës në tubime dhe është reduktuar numri i protestuesve të maskuar.
Ndërkohë, Komisioni votoi edhe aktin normativ që parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të vogla të dëmtuara gjatë protestës.
Miratimi i ndryshimeve vjen në një klimë përplasjesh politike për protestat dhe mënyrën se si duhet të garantohet ushtrimi i së drejtës për tubim, ndërsa kundërshtimi i opozitës pritet të zhvendoset tashmë në Gjykatën Kushtetuese.



