back to top
7.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Rama e Berisha në marrëveshje që nga 2008-a”/ Rrëfehet Bamir Topi

“Rama e Berisha në marrëveshje që nga 2008-a”/ Rrëfehet Bamir Topi

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë një rrëfim të gjatë në emisionin “Të Paekspozuarit”  ku ka treguar se si u përfshi në politikë në vitet ’90 dhe ka lëshuar akuza të forta për mënyrën se si po funksionon aktualisht pushteti në Shqipëri, duke e cilësuar si “të kalçifikuar” dhe të dominuar nga figura e një individi të vetëm.

Topi tregoi se për herë të parë kishte dëgjuar për Sali Berishën nga vëllai i tij, Flamur Topi, me të cilin Berisha kishte qenë shok shkolle në Teknikumin Mjekësor. Sipas Topit, afrimi me politikën kishte nisur që në vitin 1992, por ishte Berisha ai që e bindi të kandidojë për PD-në në vitin 1996, duke i thënë se “kishte ardhur koha” dhe se karrierën akademike e kishte përmbyllur, sapo pasi kishte marrë titullin “profesor”.

“Berisha më dukej një njeri jashtëzakonisht i motivuar, serioz dhe natyrë ambicioze për misionin që kishte”, tha Topi.

Ish-presidenti rrëfeu se si, në krye të Institutit të Mjekësisë Veterinare, solli përvojën nga Italia për të organizuar institutin në një standard të ri, por ndeshi pengesa nga konjukturat në ministrinë përgjegjëse. Kjo sipas tij, i dha fund karrierës në kërkimin shkencor dhe çoi më pas në angazhimin në politikë si Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit në qeverinë e Aleksandër Meksit.

Duke folur për situatën e vitit 1996 dhe firmat piramidale, Topi kujtoi:

“Nëse do të ishin mbyllur në kohë, nuk do të kishim pësuar katastrofën e vitit 1997. Atë vit ndodhi një kolaps financiar, një revoltë popullore dhe një shfrytëzim politik nga opozita e atëhershme.”

Kritikat ndaj Ramës: “Një klimë e kalçifikuar që s’shërohet me recetë”
Në pjesën më të fortë të intervistës, Bamir Topi kritikoi ashpër pushtetin aktual të Edi Ramës, duke e krahasuar me regjimet autokratike.

“Është e frikshme ideja e vazhdimësisë së pushtetit të një personi. Rama është produkt i marrëveshjes politike me Berishën në vitin 2008. Sot ai i ka të gjitha pushtetet në dorë”, u shpreh Topi.

Ai tha se nuk kishte përfituar asgjë nga mandati i Ramës, përkundrazi kishte qenë një nga pengesat për ngjitjen e tij në postin e Presidentit në vitin 2007.

Topi kritikoi gjithashtu idetë e fundit të kryeministrit për një “shtet bektashi”, duke i cilësuar si projekte “ekstravagante” dhe jashtë çdo rruge normale institucionale.

“Nëse një projekt ka rëndësi kombëtare, duhet të diskutohet me strukturat dhe popullin, jo të hidhet si ide personale. Po shkojmë drejt një modeli ku demokracia nuk ndihet më. Në pushtet është njëri, në opozitë tjetri, dhe të dy janë në komoditet të plotë.”

Në përfundim, Topi e përshkroi gjendjen politike me një metaforë mjekësore:

“Kjo është një klimë që në mjekësi quhet e kalçifikuar. Nëse nuk hiqet me kirurgji, nuk ka recetë që e shëron.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat