Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve në varësi të saj, duke kërkuar vendosjen e byzylykut elektronik për personat që gjenden në masë sigurie arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.
Në një shkresë të siguruar nga OraNews, Proda thekson se aktualisht efektivët e policisë po angazhohen në mënyrë intensive për mbikëqyrjen e këtyre personave, duke krijuar mungesë burimesh për detyra të tjera, sidomos gjatë sezonit veror dhe në ngjarje të rëndësishme.
Sipas dokumentit, në drejtorinë e Shkodrës janë të angazhuar 15 punonjës për një person të vetëm me arrest shtëpie, ndërsa në Fier janë 10 punonjës për një rast të ngjashëm. Gjithashtu, në Lezhë janë 40 efektivë të angazhuar në turne për një person në këtë masë sigurie.
Drejtori Proda nënvizon se vendosja e byzylykut elektronik do të lehtësonte punën e policisë dhe do të lironte burime njerëzore për operacione të tjera të rëndësishme.