back to top
1.5 C
Tirana
E diel, 18 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaRriten fondet për mbrojtjen nga zjarri, por mungojnë automjetet dhe teknologjia

Rriten fondet për mbrojtjen nga zjarri, por mungojnë automjetet dhe teknologjia

Situata me zjarret në vend është përkeqësuar ndjeshëm në ditët e fundit, veçanërisht në zonat jugore dhe ato bregdetare. Deri më 27 korrik, Ministria e Mbrojtjes ka evidentuar 45 vatra aktive zjarri në të gjithë territorin, prej të cilave 21 janë ende aktive, 16 në monitorim dhe vetëm 8 janë raportuar si të shuara.

Zjarret janë regjistruar në një sërë bashkish, përfshirë Lurën, Matin, Bulqizën, Delvinën, Gramshin, Elbasanin, Pogradecin, Milotin, Mirditën, Pustecin, Beratin, Memaliajn, dhe madje edhe në malin me Gropa pranë Tiranës.

Fonde më të mëdha, por rezultate të pakta në terren
Për vitin 2025, 61 bashkitë e vendit kanë përfituar një fond total prej 2.1 miliardë lekësh (rreth 21 milionë euro) nga buxheti i shtetit për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri – një rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.

Bashkia e Tiranës është përfituese e fondit më të madh, me 275 milionë lekë, që përfaqëson 13% të totalit dhe një rritje me 104% krahasuar me vitin 2024. Pas saj vijnë Durrësi me 94.5 milionë lekë (+63%), Kukësi me 75.3 milionë lekë (+19.6%), Elbasani me 70.2 milionë lekë (+74.6%), dhe më tej Fier, Vlorë, Kamëz, Lezhë dhe Korçë.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së buxhetit, ekspertët dhe vetë drejtues të institucioneve vendore paralajmërojnë se efikasiteti në terren mbetet i dobët, për shkak të mungesës së teknologjisë, automjeteve moderne dhe trajnimeve të specializuara.

Sistemi i amortizuar – “Zjarrfikës pa zjarrfikëse”
Drejtori i Institutit për Bashkitë Shqiptare, Agron Haxhimali, ka theksuar se fondet aktuale shpenzohen kryesisht për pagat, sigurimet shoqërore dhe karburantin, ndërsa pjesa më e madhe e flotës zjarrfikëse është e vjetëruar dhe jashtë standardeve.

“Mungon infrastruktura në terren, nuk ka zjarr të zjarrtë dhe teknologjia për zbulimin e hershëm është pothuajse inekzistente. Në disa zona, kemi zjarrfikës, por nuk kemi automjete”, deklaron Haxhimali.

Situata është alarmante në zonat rurale dhe malore, ku zjarret në pyje kërkojnë ndërhyrje me mjete specifike dhe personel të trajnuar për terrene të vështira – diçka që mungon thuajse në të gjitha bashkitë.

Statistika alarmante: një zjarrfikës për 1,500 banorë
Sipas të dhënave të Institutit të Bashkive, mesatarisht ka vetëm një zjarrfikës për çdo 1,500 banorë në Shqipëri, dhe vetëm një automjet zjarrfikës për 10,000 banorë. Situata është më e rënduar në qytete të mëdha si Tirana, ku përqendrimi i popullsisë nuk përputhet me numrin e burimeve njerëzore apo teknike të shërbimit zjarrfikës.

Gjysma e bashkive, sipas raportit, nuk kanë plane menaxhimi për pyjet që administrojnë, çka shton rrezikun për përhapje të pakontrolluar të flakëve dhe mungesë reagimi të koordinuar në raste emergjente.

Rekomandimet e ekspertëve: nevojë për reformë dhe planifikim të integruar
Për të përmirësuar gjendjen, Instituti për Bashkitë Shqiptare rekomandon:

Modernizimin e flotës zjarrfikëse, përfshirë pajisje për terrene të vështira;

Shtimin e fondeve për emergjenca, të dedikuara për situata kritike dhe jo vetëm për shpenzime operative;

Vendosjen e kritereve të qarta për shpërndarjen e fondeve sipas territorit dhe rrezikut të ekspozimit ndaj zjarreve;

Rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe trajnimeve në bashkitë e vogla;

Hartimin e planeve të veçanta për menaxhimin e rrezikut nga zjarri, të përshtatura për çdo zonë gjeografike.

Në një vit kur fondet për mbrojtjen nga zjarri janë rritur ndjeshëm, sezoni i verës po tregon se problemi nuk është vetëm te buxheti, por te mënyra si ai menaxhohet dhe ku investohet realisht.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat