back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“104 milionë Euro të falura/ Si e “zhduku” Anila Denaj gjobën ...

“104 milionë Euro të falura/ Si e “zhduku” Anila Denaj gjobën ndaj Bankers Petroleum

Vetëm pak vite pasi Dogana Shqiptare vendosi një gjobë rekord prej 104 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania” për shkelje të rënda të procedurave doganore, vendimi u anulua nga Ministria e Financave e drejtuar në atë kohë nga Anila Denaj.

Gjobën e kishin vendosur tre inspektorë të Hetimit Doganor pas dy akt-kontrolleve zyrtare më 13 dhjetor 2016 dhe 22 shtator 2017, ku konstatuan refuzimin e kompanisë për të lejuar kontrollin në depot doganore dhe mosrespektimin e detyrimeve fiskale.

Vendimi i “faljes”

Burime pranë administratës doganore thonë se anulimi nuk ishte thjesht një vendim teknik, por një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e ministrisë. Me një shkresë të firmosur personalisht nga ministrja Denaj, gjoba u konsiderua e pavlefshme, duke hequr nga detyrimi kompaninë për të shlyer shumën kolosale që do të derdhej në buxhetin e shtetit.

Ky veprim ka ngjallur dyshime të forta për favorizim të paligjshëm dhe cenim të interesave publike, pasi ligji nuk i jep ministrit të Financave kompetencë për të “falur” gjoba të tilla. Sipas juristëve, vendimi duhej të ishte shqyrtuar nga gjykata administrative dhe jo të mbyllej me një firmë politike.

Nga “falja” te akuzat e reja

Ironikisht, sot “Bankers Petroleum” ndodhet sërish nën hetim, këtë herë nga Prokuroria e Fierit, e cila akuzon kompaninë për një skemë të mirëfilltë evazioni fiskal. Por pyetja që po shtrohet është: A do të kishte ndodhur kjo, nëse gjoba e vitit 2017 do të ishte paguar dhe procedurat do të ndiqeshin deri në fund?

Në mungesë të një hetimi parlamentar apo prokurorial mbi vendimin e Anila Denajt, 104 milionë euro të humbura mbeten një nga shembujt më të qartë të asaj që opozita e quan “amnisti fiskale për klientët e pushtetit”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat