KreuAktualitetEkonomia39.3 miliardë lekë për spitalet në 2026/ QSUT merr pjesën më të...

39.3 miliardë lekë për spitalet në 2026/ QSUT merr pjesën më të madhe të fondit

Qeveria ka ndryshuar ndarjen e fondeve për shërbimin spitalor gjatë vitit 2026. Në total, buxheti për spitalet dhe shërbimet e lidhura me to arrin në rreth 39.3 miliardë lekë, ndërsa pjesën më të madhe të financimit e merr Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, QSUT-së i janë akorduar rreth 13.06 miliardë lekë, një shumë që përbën afërsisht një të tretën e të gjithë buxhetit të përcaktuar për shërbimin spitalor.

Nga fondi i QSUT-së, mbi 7.2 miliardë lekë janë parashikuar për mallra dhe shërbime. Në këtë zë përfshihen barnat, materialet mjekësore dhe shpenzimet e nevojshme për funksionimin e spitalit.

Rreth 4.1 miliardë lekë janë planifikuar për pagat e personelit, ndërsa më shumë se 1 miliard lekë lidhen me shërbimin laboratorik të ofruar përmes partneritetit publik-privat.

Sa marrin spitalet e tjera?

Pas QSUT-së, një nga financimet më të mëdha shkon për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ketë në dispozicion rreth 1.94 miliardë lekë.

Spitali i Shkodrës do të financohet me rreth 1.62 miliardë lekë, ndërsa fondet për spitalet e Elbasanit, Vlorës, Korçës dhe Fierit variojnë nga 1 deri në 1.3 miliardë lekë.

Spitali i Durrësit parashikohet të financohet me rreth 1.73 miliardë lekë, ndërsa për Spitalin Memorial të Fierit janë planifikuar rreth 1.05 miliardë lekë.

Përveç buxheteve të drejtpërdrejta për spitalet, rreth 1.73 miliardë lekë janë parashikuar për paketat e shërbimeve shëndetësore, ndërsa 1.4 miliardë lekë do të përdoren për pagesat e shërbimeve të ofruara përmes partneriteteve publiko-private.

Në ndarjen e përgjithshme të fondeve, rreth 15.4 miliardë lekë shkojnë për pagat e personelit shëndetësor, ndërsa 2.5 miliardë lekë janë parashikuar për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Një tjetër zë i rëndësishëm janë mallrat dhe shërbimet, për të cilat janë parashikuar afro 12.94 miliardë lekë.

Ndarja e re e fondeve përcakton kështu buxhetet që do të kenë në dispozicion institucionet spitalore gjatë vitit 2026, me QSUT-në që vijon të marrë pjesën më të madhe të financimit për shkak të rolit si qendra kryesore universitare dhe terciare e shërbimit shëndetësor në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat