Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për biznesmenin Ergys Agasi, pas një seance maratonë ku palët u përplasën për provat dhe argumentet ligjore të paraqitura në dosjen e SPAK-ut.
Seanca zgjati për disa orë dhe u shoqërua me debate të forta mes prokurorisë dhe mbrojtjes. Avokatët e Agasit kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa SPAK mbrojti qëndrimin për vijimin e arrestit në burg.
Ergys Agasi u arrestua pas rreth tetë muajsh në kërkim, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Ai u ndalua teksa udhëtonte me makinë nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Në automjet ndodhej edhe ish-polici Uljan Shpataraku, i cili është gjithashtu person i shpallur në kërkim.
Një nga provat kryesore të paraqitura nga prokuroria lidhet me disa regjistrime video të realizuara në zyrën e Agasit. Sipas SPAK-ut, pamjet, të regjistruara gjatë takimeve të biznesmenit me persona të ndryshëm, përbëjnë një element të rëndësishëm të fashikullit hetimor.
Nga ana tjetër, avokati Maks Haxhia i ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke deklaruar se në dosje nuk ka prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat penale për të cilat hetohet.
Seanca është ndërprerë disa herë me kërkesë të mbrojtjes, e cila ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet dhe materialet e dosjes.
Në përfundim të seancës, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg” për Ergys Agasin. Hetimet për dosjen e AKSHI-t vijojnë.



