Kandidatët për studentë në degët e Mjekësisë vijojnë testimin e informatizuar, proces që përcakton fituesit në një prej degëve më të kërkuara në arsimin e lartë.
Për herë të parë, aplikantët përballen me një kontratë të re: Detyrimin për të punuar si mjekë në Shqipëri për të paktën tre vite pas diplomimit. Ky kusht ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e maturantëve mes universiteteve publike dhe atyre private.
“Deri në këtë moshë e kam menduar vetëm këtu. Të ishte për prindërit e mi, s’do të isha sot këtu. Do isha si shumë të tjerë, jashtë,“ u shpreh një maturante pas testimit.
Një tjetër kandidat tha se përballë alternativës së pagesës prej 2–4 mijë eurosh për kontratë, do të kishte qenë më lehtë të zgjidhte universitet privat. “Megjithatë vendosa të qëndroj. Për mua, të punoj 2–3 vite këtu është më e vlefshme,“ shtoi ai.
Përtej emocioneve të vetë maturantëve, edhe familjarët e tyre presin me ankth jashtë ambienteve të testimit, duke ndarë lot gëzimi dhe përqafime në momentin kur shfaqen rezultatet në kohë reale.
Në total, rreth 1.200 maturantë janë ndarë në grupe për t’iu nënshtruar testimit, i cili do të vijojë deri më 22 gusht.