Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Studentët kanë denoncuar presion për blerjen e librave të pedagogëve, para në këmbim të notave dhe kërkesa për favore seksuale. Tani pedagogët dalin në protestë në emër të tyre dhe bojkotojnë mësimin. Por problemet me të cilat përballen studentët nisin pikërisht brenda auditorëve.
-Pedagogët kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në të gjitha universitetet publike të vendit, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Por vendimi ngre edhe një pikëpyetje. Pse u kujtuan tani pedagogët të dalin në krah të studentëve, ndërkohë që prej vitesh një pjesë e tyre denoncojnë problematika që lidhen drejtpërdrejt me marrëdhënien me pedagogët dhe funksionimin e universiteteve?
Që në ditët e para të protestës, studentët kanë ngritur shqetësime për presionin që, sipas tyre, ushtrohet në auditorë. Një prej problemeve të përmendura është detyrimi për të blerë librat e pedagogëve, pasi fotokopjet nuk pranohen. Për studentët, kjo përkthehet në kosto shtesë, përtej tarifave të studimit dhe shpenzimeve të tjera që shoqërojnë jetën universitare.
Por denoncimet janë edhe më të rënda. Në raportime dhe anketime të ndryshme janë ngritur pretendime për pedagogë që kërkojnë para në këmbim të notave, si dhe për raste kur studentëve u janë kërkuar favore seksuale për të përfituar vlerësim akademik.
Një anketë e publikuar nga organizata “Qëndresa Qytetare” në vitin 2025 evidentoi shqetësime të tilla te studentët. Anketa përfshiu 750 studentë nga tetë universitetet kryesore publike të vendit. Në rezultatet e publikuara, 46.6% e të anketuarve raportuan se kishin hasur ryshfet të drejtpërdrejtë ose pagesa në këmbim të notës, 22.6% thanë se ishin përballur me detyrimin për blerjen e librave të pedagogëve, ndërsa 7% deklaruan se u ishin kërkuar favore seksuale në këmbim të notës.
Këto të dhëna ngrenë pikëpyetje serioze për mekanizmat e kontrollit dhe mënyrën se si institucionet e arsimit të lartë trajtojnë denoncimet e studentëve.
Pedagogët dalin në protestë dhe shpallin bojkotin
Një ditë përpara nisjes së bojkotit, pedagogë dolën në protestë për të shprehur mbështetjen e tyre për studentët. Më 20 tetor, kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) vendosi njëzëri bojkotimin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit. Bojkoti nisi më 21 tetor dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
Në deklaratën e saj, sindikata argumenton se studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe llogaridhënien. Sipas SPUSH, përgjigjja ndaj kërkesave të tyre ka qenë heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
SPUSH shprehet gjithashtu se pedagogët ndajnë të njëjtat shqetësime me studentët për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Sindikata kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës që prej 13 tetorit, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që e kanë urdhëruar apo ushtruar atë. Po ashtu, kërkon trajtim të ligjshëm dhe dinjitoz të studentëve të shoqëruar dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.
Pedagogët do të marrin pjesë aktivisht në protestë dhe do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës. Sindikata u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të universiteteve publike të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve pjesëmarrës.
SPUSH ka sqaruar se orët e mësimit do të kompensohen më vonë dhe u ka kërkuar pedagogëve të qëndrojnë në komunikim me studentët, duke u ofruar mbështetje dhe materiale didaktike sipas nevojës. “Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, thekson sindikata, duke shtuar se pedagogët do të rikthehen në mësim sapo studentët të marrin përgjigjen që meritojnë.
Solidariteti nuk i fshin problemet e auditorëve
Mbështetja e pedagogëve ndaj studentëve përballë dhunës dhe në kërkesën për llogaridhënie është një qëndrim i rëndësishëm. Por kjo nuk e përjashton nevojën për të diskutuar edhe përgjegjësitë brenda universiteteve.
Nëse pedagogët kërkojnë meritokraci dhe luftë kundër korrupsionit, këto parime duhet të zbatohen edhe në auditorë. Vlerësimi akademik duhet të bazohet te njohuritë dhe puna e studentit, jo te pagesat apo përfitimet e tjera. Po kështu, pretendimet për presion për blerjen e librave dhe për kërkesa seksuale duhet të hetohen në mënyrë të paanshme, ndërsa studentët duhet të kenë mundësi të denoncojnë pa frikën e penalizimit akademik.
Për shumë studentë, problemet me arsimin nuk shfaqen vetëm në rrugë, gjatë protestave, por edhe në përditshmërinë universitare. Prandaj, solidariteti i pedagogëve nuk mund të kufizohet vetëm te bojkoti apo dalja në protestë. Ai duhet të shoqërohet edhe me gatishmërinë për të adresuar problematikat që studentët ngrenë prej kohësh brenda institucioneve ku studiojnë.
Pyetja që mbetet është nëse kjo mbështetje do të shërbejë edhe si një mundësi për të hapur një debat serioz mbi abuzimet e pretenduara në universitete, apo do të mbetet vetëm një reagim ndaj zhvillimeve të ditëve të fundit.
Sepse kërkesa për arsim cilësor nis në auditorë, aty ku studentët duhet të gjejnë dije, meritokraci dhe siguri, jo presion apo abuzim.
Rikthehet kërcënimi i bojkotit në universitete/ Përsëritet skenari i vitit 2022?



