KreuHapësira për studentëtRikthehet kërcënimi i bojkotit në universitete/ Përsëritet skenari i vitit 2022?

Rikthehet kërcënimi i bojkotit në universitete/ Përsëritet skenari i vitit 2022?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Aleksandër Kovaçi, ka bërë thirrje për bojkot të mësimit dhe grevë në mbështetje të studentëve që prej ditësh protestojnë për problematikat në arsim dhe kundër dhunës ndaj tyre.

Në deklaratën e tij më 20 tetor, Kovaçi bëri të ditur se kryesia e sindikatës mbështet bojkotin e studentëve dhe u kërkoi pedagogëve të mblidhen çdo ditë në orën 10:00. Kjo e çon protestën përtej një marshimi solidariteti dhe rikthen në vëmendje mundësinë e ndërprerjes së procesit mësimor në universitete.

Precedenti i vitit 2022: Pedagogët bojkotuan mësimin për pagat

Nuk është hera e parë që Sindikata e Pedagogëve kërcënon me ndërprerjen e mësimit. Në tetor të vitit 2022, pedagogët nisën bojkotin e procesit mësimor, duke kërkuar rritje të pagave, pagesë për vjetërsinë në punë, kompensim për orët shtesë të mësimdhënies dhe më shumë financim për kërkimin shkencor.

Sindikata kërkonte rritje të pagave me 50%, të ndarë në dy faza, fillimisht me 20% dhe më pas me 30%. Bojkoti u shoqërua me protesta dhe debate me qeverinë, ndërsa auditorët u prekën nga ndërprerja e mësimit.

Më 6 nëntor 2022, sindikata vendosi të pezullonte bojkotin dhe pedagogët të riktheheshin në auditorë. Vendimi erdhi pasi qeveria kishte pranuar një rritje pagash prej 15%, ku një pjesë do të mbulohej nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga universitetet.

Megjithatë, sindikata e cilësoi rritjen të pamjaftueshme dhe njoftoi se protesta do të vijonte.

A mund të përsëritet bojkoti?

Deklarata e fundit e Kovaçit rikthen mundësinë e një tjetër përplasjeje mes trupës akademike dhe institucioneve, këtë herë në një kontekst të ndryshëm nga ai i vitit 2022. Atëherë, kërkesat kryesore lidhen me pagat dhe financimin e universiteteve; sot, sindikata shprehet në mbështetje të studentëve që protestojnë për kushtet në arsim dhe kundër dhunës ndaj tyre.

Precedenti i vitit 2022 tregon se sindikata ka përdorur bojkotin si mjet presioni, por edhe se ndërprerja e mësimit mund të pezullohet kur vendosen hapa të tjerë për vijimin e protestës. Nëse thirrja e tanishme do të shndërrohet në një bojkot të gjerë të pedagogëve, kjo do të varet nga vendimet e mëtejshme të sindikatës dhe nga pjesëmarrja e trupës akademike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat