Pas takimit mes Flamur Nokës dhe Tedi Blushit, të cilët paralajmëruan se opozita do të bëjë “namin” në shtator, ka reaguar edhe anëtarja e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kalaja u shpreh se është koha që “t’i vihet zjarr Surrelit”, duke iu referuar rezidencës së kryeministrit Edi Rama.
“Duhet t’ja çojmë zjarrin në Surrel, ta provojë sa djeg… Po kush do thoni ju? Ja erdhi shtator”, shkroi ajo.
Deklarata e Kalajas vjen në të njëjtën linjë me paralajmërimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pak ditë më parë tha se në shtator opozita do të nisë një valë protestash, pasi nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit, të cilat i quan të manipuluara.
Megjithatë, Berisha ka bërë të qartë se deputetët e opozitës do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, ndonëse vijojnë të mbajnë qëndrimin se zgjedhjet ishin të paligjshme.