Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar qeverinë se ka rrëmbyer dhe torturuar Daniel Shimën, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në një postim në Facebook, Berisha pretendon se Shima u rrëmbye më 20 gusht, në orën 13:30, dhe se ngjarja nuk ishte një arrestim ligjor, por një operacion i një strukture që ai e quan “polici private me uniforma shtetërore”, e cila vepron nën urdhrat e Kryeministrit Edi Rama.
“Danieli u rrëmbye si në kohët më të errëta. Jo nga policia apo SPAK-u, por nga struktura të fshehta që raportojnë vetëm te kreu i narkoshtetit,” shkruan Berisha.
Ai shton se pas kthimit të Shimës ka rënë një heshtje totale: “Shoqëria civile, Avokati i Popullit, gazetarët, askush nuk flet më për Danielin. Është një omertà që flet shumë për frikën në këtë narkodiktaturë.”
Reagimi i Berishës ka shkaktuar debate të ashpra në rrjetet sociale, duke ngritur pyetje mbi sigurinë e ish-funksionarëve të lartë dhe rolin e institucioneve ligjore në vend.