back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaÇmimet në Shqipëri rriten modestisht, më pak se vendet e rajonit

Çmimet në Shqipëri rriten modestisht, më pak se vendet e rajonit

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së Agjencisë Europiane të Statistikave, regjistroi një normë prej 2.3% në gusht 2025. Në të njëjtën periudhë, inflacioni i raportuar nga INSTAT gjithashtu fiksohet në 2.3%. Diferencat mes matjeve vijnë nga pesha që i jepet secilit grup produktesh në llogaritjen e inflacionit, ndërsa metodologjia e matjes mbetet e njëjtë.

Në krahasim me mesataren europiane, që për gushtin 2025 është 2.4%, Shqipëria shihet e pozicionuar nën këtë kufi, që do të thotë se çmimet në vendin tonë janë më të ulta se mesatarja e Bashkimit Europian. Ndër vendet me inflacion më të lartë janë Rumania me 8.5%, Estonia me 6.2%, Serbia me 4.9% dhe Mali i Zi me 4.7%.

Në rajon, Shqipëria renditet relativisht mirë krahasuar me fqinjët, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ku inflacioni i gushtit shënon 4.4% dhe 4.5% respektivisht.

Analiza e ndryshimit vjetor të grupeve të shpenzimeve tregon se rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te “Argëtim dhe kulturë” me 9.9%, pasuar nga “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.3% dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.7%.

Nga ana tjetër, rritje më të ulët shënojnë grupet: Ushqime dhe pije joalkoolike 1.7%, Mallra dhe shërbime të ndryshme 1.6%, Komunikimi 1.1%, Shëndeti dhe Shërbimi arsimor 1.0% secili, Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji 0.6% dhe Veshje dhe këpucë 0.4%. Ndërkohë, çmimet e grupit Transporti regjistruan një ulje prej 0.7%.

Ky raport tregon një stabilitet relativ të çmimeve në vend, me rritje më të madhe te shërbimet dhe mallrat jo të domosdoshme, ndërsa grupet bazë si ushqimi dhe energjia kanë ndryshime më modeste.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat