Nënkryetari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka bërë thirrje për një shkëputje të thellë midis drejtimit partiak dhe grupeve parlamentare, duke e konsideruar sistemin aktual të listave të mbyllura si një nga arsyet kryesore të shkëputjes së politikës nga qytetarët.
Në një intervistë në emisionin “Trialog” në RTSH, Alimehmeti theksoi se pa ndryshimin e këtij modeli, është e pamundur të krijohen protesta masive dhe përfshirje e gjerë qytetare në proceset politike.
“Duhet shkëputja e thellë e kryesimit partiak të partisë nga grupi parlamentar i listave të mbyllura. Nuk përfaqëson dot njerëzit dhe votën e tyre dhe nuk mund të ketë një përfundim që të sjellë protesta masive që të ndryshojnë situatën ku jemi sot,” – deklaroi Alimehmeti.
Demokrati pranoi gjithashtu se opozita ka bërë gabime të rënda, të cilat kanë dobësuar ndjeshëm rolin e saj politik dhe përfaqësues në vend.
“Ne jemi këtu ku jemi për shkak të bojkotit të vitit 2019. Dalja nga sistemi na dëmtoi rëndë dhe ishte një veprim kriminal nga ana demokratike,” – tha ai, duke shtuar se edhe bashkërendimi për kodin zgjedhor në vitin 2024 ishte një tjetër gabim strategjik që kufizoi garën e lirë politike.
Sipas Alimehmetit, rikthimi i opozitës tek qytetarët dhe hapja e listave zgjedhore janë kushtet e vetme për ringritjen e besimit dhe forcimin e demokracisë përfaqësuese në vend.



