back to top
4.5 C
Tirana
E martë, 23 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetSocialeBeteja e stomatologëve/ Nga fondet e zhdukura te manipulimet zgjedhore

Beteja e stomatologëve/ Nga fondet e zhdukura te manipulimet zgjedhore

Etleva Skonja

Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë (USSH) ndodhet në qendër të një konflikti institucional dhe ligjor që ka përfshirë ish-drejtuesit dhe organet aktuale të udhëheqjes së këtij institucioni. Përplasjet filluan pas akuzave për shpërdorim fondesh dhe veprime në kundërshtim me ligjin nga ish-Presidenti Nikoll Deda dhe zv/Presidentja Aurela Guri.

Më 24 nëntor 2025, Presidenti i USSH, Dr. Almiro Gurakuqi, publikoi një reagim të gjatë për opinionin publik dhe komunitetin e stomatologëve në lidhje me të ashtuquajturën “mbledhje të Asamblesë Rajonale Tiranë” dhe zgjedhjen e një presidenti të ri të Këshillit Rajonal nga grupi i ish-drejtuesve.

Në deklaratë, Gurakuqi e cilësoi këtë mbledhje dhe zgjedhje si të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin.

“Akte të tilla nuk përfaqësojnë asgjë dhe nuk ndikojnë në veprimtarinë normale të Urdhrit. Përpjekjet e ish-Presidentit për të organizuar zgjedhje private janë “tentativa të një njeriu të dëshpëruar” që ka tejkaluar mandatin e tij të dytë dhe që aktualisht gjykohet penal nga gjykatat e Republikës së Shqipërisë. Zgjedhjet e zhvilluara në një institucion arsimor jopublik (IAL) nuk kanë legjitimitet, pasi pjesëmarrja ishte më pak se 0.1% e anëtarësisë rajonale, ndërsa Rajoni Tiranë ka mbi 3,000 stomatologë. Veprimtaria e USSH zhvillohet vetëm në selinë zyrtare, dhe çdo akt jashtë saj nuk ka asnjë ndikim ligjor. Urdhri ka depozituar kallëzim penal pranë organeve kompetente dhe beson në zgjidhjen e çështjes përmes drejtësisë”, thuhet  në reagim.

Hetimet e Prokurorisë

Më 5 gusht 2025, Prokuroria e Tiranës njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin në gjyq të ish-Presidentit Nikoll Deda dhe zv/Presidentes Aurela Guri. Ata akuzohen për tre vepra penale kryesore.

“Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën. Shpërdorim detyre si dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës (nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal), janë akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Hetimet kanë dokumentuar se Nikoll Deda, gjatë kohës si President i Urdhrit të Stomatologëve, ka punësuar familjarë dhe persona të afërt për të manipuluar vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar që nga viti 2016.

Ai gjithashtu, sipas Prokurorisë, ka tjetërsuar fonde të Urdhrit duke bërë pagesa fiktive dhe blerje bileta për të përfituar personalisht ose për afërmit e tij.

Zv/Presidentja Aurela Guri, akuzohet për veprime financiare të paautorizuara për buxhetin e vitit 2024 dhe për shkelje të vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës, sipas të cilit Urdhri ishte nën masë sigurimi. Ajo ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke tejkaluar kompetencat ligjore, duke u bërë subjekt i akuzave për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Prokuroria e Tiranës, në njoftimin e saj, ka vënë në dukje se veprimet e ish-drejtuesve përbëjnë shkelje të ligjit, duke përfshirë punësime të paautorizuara, përqendrim të kompetencave në duart e tyre dhe përdorim të fondeve të Urdhrit për përfitime personale.

Përplasjet brenda komunitetit të stomatologëve

Rastet e fundit kanë nxitur tensione të thella brenda komunitetit të stomatologëve në Shqipëri.

Almir Gurakuqi
Almiro Gurakuqi

Presidenti aktual Gurakuqi ka akuzuar  dhe po akuzon ish-drejtuesit për tentativë të kapjes së institucioneve të Urdhrit dhe përdorimin e tyre si pronë personale.

Ish-Presidenti Deda dhe mbështetësit e tij kanë insistuar se zgjedhjet private ishin të ligjshme dhe se komuniteti rajonal kishte të drejtë të organizonte mbledhje për të zgjedhur drejtuesit lokalë.

Debati ka përfshirë edhe studentë, ndihmësstomatologë dhe stomatologë të diplomuar, të cilët janë ndarë mes mbështetjes për vijimësinë ligjore të institucioneve dhe nevojës për ndryshime strukturore në drejtim të transparencës.

Kriza e Urdhrit të Stomatologëve evidencon nevojën për transparencë dhe kontroll të brendshëm në institucionet profesionale, veçanërisht kur bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve publike dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor. Ndërkohë, komuniteti i stomatologëve dhe opinion publik presin vendimet e drejtësisë për të sqaruar përgjegjësitë e ish-drejtuesve dhe për të rikthyer stabilitetin institucional.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat