back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetSalianji dhe Alimehmeti në Durrës/ PD dërgon SMS paralajmëruese, anëtari kundërpërgjigjet

Salianji dhe Alimehmeti në Durrës/ PD dërgon SMS paralajmëruese, anëtari kundërpërgjigjet

Takimi i paralajmëruar i Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës ka shkaktuar tensione dhe reagime të menjëhershme nga drejtuesit lokalë të partisë. Ky takim, i cili pritej të zhvillohej për të diskutuar për ringritjen e PD-së pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, u konsiderua nga krerët e degëve si i paautorizuar dhe me axhendë personale.

Kryetarët e degëve të PD-së në Durrës, Ard Muka dhe Osman Stafa, kanë dërguar një mesazh SMS për rreth 5 mijë anëtarë, duke paralajmëruar se çdo informacion për takimin është i gabuar dhe nuk ka lidhje me agjendën zyrtare të partisë. Në mesazhin e tyre, drejtuesit e degëve theksojnë se analiza dhe debatet brenda PD-së duhet të zhvillohen vetëm nëpërmjet forumeve të miratuara të partisë dhe jo përmes iniciativave personale.

SMS-ja e dërguar nga krerët e degëve thekson:
“Persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim. Partia Demokratike sot ka në fokus betejat e saj kundër korrupsionit Rama–Balluku dhe aferave të tjera korruptive. Procesi i brendshëm i analizës do të bëhet vetëm brenda forumeve të partisë.”

Reagimi i qytetarëve nuk vonoi. Një prej tyre iu përgjigj SMS-së duke kërkuar që të mos kontaktohet më, duke theksuar se ishte larguar prej kohe nga Partia Demokratike dhe nuk pranon të përzihet në këtë debat të brendshëm.

Ky incident vjen pas deklaratave të ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili kishte kritikuar takimin e Salianjit si një “axhendë personale”. Berisha e kishte konsideruar lëvizjen si një përpjekje për interesa individuale dhe kishte falënderuar strukturat e PD-së në Durrës që nuk u “mashtruan nga kjo axhendë personale”.

Ndërkohë, lëvizja e Salianjit ka mbështetje nga disa nga demokratët e njohur në Durrës dhe ish-deputetët e listave të hapura, të cilët kanë marrë pjesë në diskutimet për ringritjen e PD-së dhe për të ndarë mendime dhe ide mbi mënyrën se si partia mund të rikthehet te votuesit pas zgjedhjeve të fundit.

Situata e krijuar reflekton ndarjen e brendshme që po përjeton PD-ja, ku disa anëtarë dhe drejtues lokalë e shohin iniciativën si një mundësi për debat dhe rifreskim, ndërsa krerët zyrtarë e perceptojnë si shkelje të hierarkisë dhe axhenda personale që mund të dëmtojë imazhin e partisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat