Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar licencën për hapjen e “JET Bank”, një institucion financiar i cili synon të operojë në mënyrë plotësisht digjitale në vend. Ky miratim përbën Fazën e parë të procesit të licencimit dhe hap rrugën për procedurat e mëtejshme për funksionimin e bankës së re.
“JET Bank” prezantohet si një aktor i ri me ambicie për të revolucionarizuar shërbimet bankare në Shqipëri. Modeli i saj operativ bazohet në teknologji të avancuar, procese të automatizuara dhe qasje “digital–first”, me qëllim reduktimin e burokracive tradicionale dhe ofrimin e një përvoje më të shpejtë, më të sigurt dhe të personalizuar për klientët.
Filozofia e bankës është krijimi i një platforme të thjeshtë dhe të lehtë për përdoruesin, ku çdo shërbim – nga hapja e llogarisë deri te kreditimi dhe pagesat – mund të kryhet ekskluzivisht përmes aplikacionit të saj.
Pas “JET Bank” qëndron një investitor britanik, drejtor i një kompanie konsulence dhe shërbimesh financiare me bazë në Londër. Ky investim ndërkombëtar sjell një dimension të ri në sektorin bankar shqiptar dhe e pozicionon “JET Bank” si një projekt me kapital të huaj dhe fokus të qartë në inovacion.



