back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“Presion politik ndaj drejtësisë”/ Gjyqtarët akuzojnë Ramën për ndërhyrje

“Presion politik ndaj drejtësisë”/ Gjyqtarët akuzojnë Ramën për ndërhyrje

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen gjyqësore që përfshin zëvendëskryeministren dhe ministren Belinda Balluku, një proces që po shqyrtohet paralelisht nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e posaçme.

Në një deklaratë publike, Shoqata shpreh “shqetësimin dhe indinjatën” për mënyrën se si kryeministri i është adresuar procesit gjyqësor, duke e konsideruar komunikimin e tij një formë presioni ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë,” thuhet në reagim. Shoqata paralajmëron se mesazhe të tilla të përsëritura në publik mund të krijojnë klimë mosbesimi ndaj drejtësisë dhe të hapin rrugën për masa që dëmtojnë pavarësinë e saj.

Shoqata rikujton se ndarja dhe balancimi i pushteteve është parim themelor i demokracisë dhe se gjyqtarët janë të pavarur, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjit.
“Pavarësia vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që kufizojnë kompetencat, por edhe nga çdo deklaratë që perceptohet si presion politik,” thekson më tej deklarata.

Në reagim përmendet edhe Komisioni Europian, i cili në raportet e tij ka evidentuar si problem vazhdimin e përpjekjeve për ndërhyrje në sistemin gjyqësor nga zyrtarë të lartë dhe politikanë.

Shoqata thekson se vendimet gjyqësore nuk kanë qëllim të jenë të pëlqyeshme për publikun apo për aktorë politikë, por të zbatojnë normat dhe standardet e shtetit të së drejtës.

Në fund, gjyqtarët u bëjnë thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit:
“Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë procedurave gjyqësore është forma më e rrezikshme e shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve.”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat