Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka publikuar ditën e sotme listat me firmat e deputetëve demokratë që pretendohet se kanë shprehur mbështetje për kandidaturën e Endrit Shabanit për postin e Avokatit të Popullit.
Dokumentet, ku shfaqen emrat dhe firmat e një grupi deputetësh të opozitës, nga Ina Zhupa te Elda Hoti, publikohen në një moment kur Berisha ka akuzuar hapur se Shabani është në një linjë me kryeministrin Edi Rama dhe se ky i fundit po lobon që ai të marrë postin.
Në llogarinë e tij në Facebook, Gjokutaj u ka bërë thirrje personave që shfaqen në lista që të konfirmojnë nëse kanë firmosur vërtet për Shabanin apo nëse bëhet fjalë për një manipulim:
“Personat që shohin emrin në këto lista janë të ftuar të konfirmojnë nëse kanë firmosur vërtetë apo kjo është një lojë! Ndjesë atyre që nuk kanë firmosur apo kanë firmosur pa mendje dhe gjenden aksidentalisht në këtë listë të mallkuar! Kjo thirrje bëhet nga unë, Genc Gjokutaj, personalisht dhe pa autorizim nga askush!”
Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se opozita nuk do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke e cilësuar atë si një lojë të “turpshme të narko-mazhorancës”





