back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 23 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetLetër SPAK dhe Burgjeve/ Këshilli Bashkiak kërkon lirimin e përkohshëm të Veliajt...

Letër SPAK dhe Burgjeve/ Këshilli Bashkiak kërkon lirimin e përkohshëm të Veliajt për buxhetin

Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar lejimin e pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2026.

Sipas kërkesës zyrtare, pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë në këtë proces është një detyrim ligjor, i parashikuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore dhe financat vendore. Këshilli Bashkiak thekson se konsultimi dhe detajimi i projektbuxhetit është një proces me interes të lartë publik, që kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes ekzekutivit vendor dhe organit vendimmarrës.

Në dokument theksohet se prania e Erion Veliajt është e domosdoshme për të garantuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe funksionimin normal të institucioneve vendore. Këshilltarët bashkiakë argumentojnë se ligji u garanton kryetarëve të bashkive të drejtën dhe detyrimin për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit dhe për të raportuar mbi çështjet që lidhen me administrimin financiar të njësisë vendore.

Në kërkesë citohet Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, ku neni 58, pika 4, përcakton se kryetari i bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë, ndërsa neni 60 parashikon bashkëpunimin e detyrueshëm mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit për çështje me interes publik.

Po ashtu, Këshilli Bashkiak i referohet Ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41 parashikon se kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet atë për miratim këshillit përkatës. Në këtë kuadër, këshilltarët kërkojnë që, nëse ndaj Veliajt janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm i pjesëmarrjes fizike të tij në një nga datat 16 deri më 18 dhjetor 2025.

Kjo kërkesë vjen vetëm dy ditë pasi vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i drejtoi një letër Këshillit Bashkiak, ku kërkonte që mendimi i tij të merrej parasysh përpara miratimit të buxhetit të Bashkisë për vitin 2026. Letra e Veliajt u konsiderua nga këshilltarët si bazë për ndërmarrjen e këtij hapi institucional ndaj SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.

Në dokument, Këshilli Bashkiak shprehet i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me institucionet përgjegjëse për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional. Gjithashtu, kërkohet që institucionet t’i informojnë me shkrim mbi vendimmarrjen, duke theksuar rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të drejtës së kryetarit të bashkisë për të raportuar përpara Këshillit Bashkiak.

Kërkesa e Këshillit Bashkiak të Tiranës hap një diskutim të ri mbi balancën mes masave kufizuese ndaj funksionarëve publikë dhe garantimit të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese dhe ligjore, në një moment kyç për miratimin e buxhetit vendor për vitin 2026.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat