Hapja e aeroportit të Vlorës, një nga projektet strategjike të qeverisë për turizmin dhe zhvillimin ekonomik të jugut, është shtyrë për shkak të përplasjeve mes aksionerëve të koncesionit, duke rrëzuar premtimin publik se aeroporti do të funksiononte brenda këtij viti. Këtë e pranoi vetë kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, duke sinjalizuar qartë se përgjegjësia për vonesën nuk bie mbi qeverinë, por mbi palën private.
“Ka pasur një konflikt mes aksionerëve, që kanë arsyet dhe dinamikat e tyre. Dëshiroja të respektohej fjala sipas së cilës aeroporti do hapej këtë vit. Fjala s’u respektua. Tani të respektohet letra, që është pranvera e vitit të ardhshëm,” deklaroi Rama.
Edhe pse pa përmendur emra, burime të afërta me projektin dhe deklaratat e mëparshme publike e vendosin biznesmenin Behgjet Pacolli dhe grupin e tij në qendër të këtij konflikti. Pacolli ka qenë një nga figurat kryesore që ka garantuar publikisht se aeroporti i Vlorës do të hapej gjatë vitit aktual, duke krijuar pritshmëri të larta si te qeveria ashtu edhe te publiku.
Përplasjet mes aksionerëve lidhen me menaxhimin e projektit, ndarjen e përgjegjësive dhe ritmin e investimeve, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në respektimin e afateve. Edhe pse puna në terren nuk është ndërprerë, vonesat në vendimmarrje dhe konfliktet e brendshme kanë penguar finalizimin e fazës së operimit.
Deklarata e Ramës shihet si një distancim i qartë i qeverisë nga dështimi për të mbajtur afatin e shpallur publikisht, duke e zhvendosur theksin nga “fjala” te “kontrata”. Mesazhi i kryeministrit është i drejtpërdrejtë: toleranca për premtime publike të pambajtura ka marrë fund dhe tani do të vlejë vetëm detyrimi ligjor.
“Tani të respektohet letra,” theksoi Rama, duke iu referuar kontratës që parashikon hapjen e aeroportit në pranverën e vitit të ardhshëm.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nyje kyçe për zhvillimin e turizmit elitar dhe për lehtësimin e fluksit ajror në jug të vendit. Çdo vonesë në hapjen e tij ka kosto ekonomike dhe politike, veçanërisht në një vit kur turizmi ka shënuar rritje rekord.
Burime nga qeveria bëjnë me dije se projekti do të monitorohet me rigorozitet në muajt në vijim dhe se çdo devijim tjetër nga afatet kontraktuale mund të sjellë pasoja për koncesionarin. Për herë të parë, nga deklaratat e Ramës kuptohet se durimi institucional ndaj konflikteve të brendshme të aksionerëve po shteron.
Nëse pranvera e vitit të ardhshëm nuk respektohet, çështja e aeroportit të Vlorës rrezikon të kthehet nga një projekt zhvillimi në një problem politik dhe ligjor, me përgjegjësi të qarta për palët private që morën përsipër ndërtimin dhe operimin e tij.



