Kuvendi i Shqipërisë hyn në vitin 2026 me një dokument strategjik që synon përmirësimin e funksionimit të brendshëm të institucionit dhe uljen e tensioneve politike në sallën e parlamentit.
Bëhet fjalë për një Plan Veprimi 27-faqësh, i hartuar nga Kuvendi, i cili parashikon rritjen e dialogut mes grupeve parlamentare, trajnime të vazhdueshme për sjelljen dhe etikën e deputetëve, si dhe një rol më aktiv të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe komisioneve në garantimin e disiplinës parlamentare.
Dokumenti synon gjithashtu forcimin e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë, përmes përdorimit më efektiv të instrumenteve si interpelancat, pyetjet parlamentare, mocionet dhe komisionet hetimore. Ky aspekt ka qenë shpesh objekt kritikash nga opozita, e cila ka akuzuar mazhorancën për bllokim të mekanizmave të kontrollit.
Në planin strategjik parashikohet edhe miratimi i reformës zgjedhore deri në korrik 2026, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e ODIHR.
Parlamenti do të rifillojë punimet më 19 janar, ndërsa në seancat e para të vitit pritet të votojë ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi, si edhe një ligj të ri për median.
Plani i Veprimit është pjesë e angazhimeve të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.



