Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Besart Logu, avokat, për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, dhe trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani mori vendimin nr. 2, datë 14.01.2026.
Vendimi përfshin:
Dënimin fillestar me 2 vjet burg, i cili u ul në 1 vit e 4 muaj në aplikim të nenit 406 të Kodit Penal.
Pezullimin e ekzekutimit të dënimit me kusht, për një periudhë 2 vjet e 8 muaj, me detyrimin që të mos kryejë vepra tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Heqjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit për 9 muaj.
Ngarkimin e tij me shpenzimet procedurale të fazës së hetimit dhe gjykimit.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që provat materiale, përfshirë përgjime audio dhe video midis Logut dhe një agjenti të koduar, të bëhen pjesë e dosjes së gjykimit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga dita e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.



