Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të jetë e pranishme në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila lidhet me shqyrtimin e kërkesës për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese, GJKKO sqaron se nuk legjitimohet ligjërisht për të marrë pjesë në këtë proces si palë, duke paraqitur gjashtë arsye kryesore që, sipas saj, e bëjnë të pamundur dhe të papërshtatshme përfshirjen në një gjykim kushtetues të kësaj natyre.
Sipas GJKKO-së, së pari, kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin apo vendimin gjyqësor konkret dhe jo mbi vetë gjykatën që e ka nxjerrë atë. Për rrjedhojë, gjykata nuk mund të konsiderohet palë kundërshtare në një konflikt juridik, pasi ajo nuk mbron interesa subjektive, por ushtron funksionin e saj kushtetues për dhënien e drejtësisë. Në këtë kuptim, GJKKO thekson se ajo është thjesht autorja e vendimit që i nënshtrohet kontrollit dhe jo subjekt i procesit.
Së dyti, në njoftim vihet theksi te parimi i pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor. Sipas këtij parimi themelor, çdo gjyqtar është i pavarur në vendimmarrje dhe nuk i përgjigjet askujt për mënyrën se si ka gjykuar një çështje konkrete, as kryetarit të gjykatës dhe as instancave më të larta. Në këtë kuadër, GJKKO vlerëson se asnjë përfaqësues institucional nuk mund të flasë apo të mbrojë një vendim penal individual të marrë nga një gjyqtar i posaçëm.
Së treti, gjykata argumenton se pjesëmarrja e saj në seancën kushtetuese do të krijonte perceptimin publik se institucioni po mbron apo justifikon vendimin e marrë, çka mund të cenojë besimin e publikut në paanshmërinë, neutralitetin dhe integritetin e drejtësisë penale. Ky rrezik, sipas GJKKO-së, është edhe më i ndjeshëm duke pasur parasysh se çështja lidhet me një funksionare të lartë shtetërore dhe ka interes të gjerë publik.
Së katërti, në parashtrim përmendet parimi i shkallëzimit të pushtetit gjyqësor. GJKKO thekson se vendimet e gjykatave të shkallës së parë kontrollohen dhe vlerësohen vetëm nga gjykatat më të larta të juridiksionit të zakonshëm. Asnjë institucion tjetër, përfshirë organet kushtetuese, nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë apo bazueshmërinë e një vendimi gjyqësor, për sa kohë ai nuk është ndryshuar ose prishur nga instancat më të larta përkatëse.
Së pesti, GJKKO nënvizon se në këtë rast nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive. Vendimet që lidhen me masën e pezullimit nga detyra janë të ankimueshme brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm. Për këtë arsye, përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë, sipas GJKKO-së, bie ndesh me parimet e administrimit të rregullt të drejtësisë dhe me standardet e praktikës kushtetuese.
Së gjashti dhe në përfundim, GJKKO argumenton se çdo pjesëmarrje e saj si palë në gjykimin kushtetues do të ishte jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Për sa kohë çështja penale ndaj Belinda Ballukut është ende në zhvillim në juridiksionin gjyqësor të zakonshëm, gjykata vlerëson se nuk mund dhe nuk duhet të përfshihet në një proces kushtetues që lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese pritet të vijojë shqyrtimin e çështjes në mungesë të përfaqësimit të GJKKO-së, ndërsa vendimi i saj do të ketë ndikim të rëndësishëm në raportet ndërinstitucionale dhe në interpretimin e kufijve të kontrollit kushtetues mbi vendimet gjyqësore penale.



