Zv/kryeministrja Belinda Balluku i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs kundër masës shtrënguese të ndalimit të daljes jashtë vendit, të vendosur ndaj saj në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se Balluku kërkon rrëzimin e kësaj mase, duke argumentuar se ajo është e pajustifikuar dhe disproporcionale. Rekursi është depozituar pranë Gjykatës së Lartë dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.
Sa i përket masës së pezullimit nga ushtrimi i detyrës, zv/kryeministrja nuk ka paraqitur ankim, pasi kjo masë është pezulluar më herët nga Gjykata e Apelit, në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, Balluku ka zgjedhur të fokusohet vetëm te kundërshtimi i ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.
Masat ndaj Ballukut janë vendosur nga SPAK në kuadër të një procedimi penal që lidhet me dyshime për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës. Çështja ka shkaktuar përplasje të forta politike dhe institucionale, pasi SPAK ka kërkuar edhe autorizimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj.
Ndërkohë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ende nuk është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për shkak të pritjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, çka ka sjellë debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.



