Për herë të parë, Shqipëria po vendos sigurimin e detyrueshëm për banesat kundër tërmeteve përmes ngritjes së Fondit të Tërmeteve si shoqëri e vetme aksionere për menaxhimin e tij. Qeveria synon të mbledhë taksën për më shumë se 1 milionë banesa në vend.
Në hartimin e draft-ligjit, autoritetet shqiptare i janë referuar modelit të Turqisë – DASK (Fondi Turk i Sigurimit nga Katastrofat), i cili ka rezultuar i suksesshëm në mbulimin e pasurive private kundër dëmeve nga katastrofat natyrore.
Si funksionon modeli turk
Sigurimi është i detyrueshëm me ligj.
Polica shitet nga kompanitë private, por të ardhurat shkojnë tek Fondi.
Qytetarët janë të detyruar të blejnë policën çdo vit, përndryshe nuk mund të:
Shesin apo blejnë pronë;
Marrin kredi hipotekore;
Lidhin kontrata për energji, ujë apo gaz;
Regjistrojnë kontrata noteriale.
Ky mekanizëm ka rezultuar me mbi 60% të banesave të mbuluara nga sigurimi, një nivel shumë i lartë për standarde ndërkombëtare.
Si ndryshon modeli shqiptar
Në Shqipëri, mekanizmi parashikon kufizime të ngjashme, por të përqendruara në shërbimet administrative:
Qytetarët që nuk blejnë policën e sigurimit detyrues nuk do të mund të:
Marrin shërbime kadastrale, përfshirë regjistrimin apo ndryshimin e regjistrimit të banesës;
Lidhin kontrata sigurimi vullnetare me kompanitë private pa kontratën e detyrueshme;
Përdorin shërbime elektronike nga portali qeveritar e-Albania;
Përfitojnë shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
Ndryshe nga modeli turk, në Shqipëri nuk parashikohen kufizime për lidhjen e kontratave të ujit, energjisë elektrike apo gazit. Ligji pritet të hyjë në fuqi 12 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, pas kalimit të hallkave përkatëse të zbatimit.
Përmbledhje e krahasimit të mekanizmave:
Pa sigurimin nuk mund Shesësh/blesh pronë, marrë kredi hipotekore, lidh energji/ujë/gaz, regjistrosh kontrata noteriale Marr shërbime kadastrale, lidh kontrata vullnetare sigurimi, përdor e-Albania, shërbime QKB.
Ky mekanizëm synon të bëjë sigurimin praktikisht të detyrueshëm dhe të mbrojë qytetarët nga pasojat e katastrofave natyrore, duke u bazuar në përvojën e Turqisë.



