back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKosovaProkuroria në Hagë: Mbi 100 të vrarë dhe qindra të abuzuar në...

Prokuroria në Hagë: Mbi 100 të vrarë dhe qindra të abuzuar në kampe të UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë kanë nisur deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Deklaratat përmbyllëse janë hapur nga Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e cila e cilësoi Gjykatën Speciale si një “trup funksional dhe të suksesshëm”, pavarësisht sfidave të hasura gjatë veprimtarisë së saj.

West theksoi se dëshmitarët dhe familjarët e tyre janë përballur me frikë, stigmatizim dhe presion në Kosovë, por pavarësisht kësaj kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me Prokurorinë për të nxjerrë të vërtetën në pah.

Sipas Prokurorisë, rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në dhe përreth më shumë se 50 kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prokurorja pretendoi se çështja ka të bëjë me synimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën, duke kryer krime ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë politikë, bashkëpunëtorë të forcave serbe apo persona që nuk mbështesnin synimet e UÇK-së.

Sipas saj, mes viktimave përfshiheshin anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe persona të komuniteteve rome dhe serbe.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Krimet e pretenduara thuhet se janë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues. Gjyqtarët kanë afat prej tre muajsh për të marrë vendim, ose mund të kërkojnë zgjatje të afatit për shpalljen e verdiktit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat