Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, deklaroi para Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit se nuk ka parë dhe nuk ka bërë asgjë të gabuar në lidhje me marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve.
Në fjalën e tij hapëse para ligjvënësve amerikanë, Clinton theksoi se do të shmangte çdo spekulim.
“Shpesh do të më dëgjoni të them që nuk më kujtohet. Por nuk do të them diçka për të cilën nuk jam i sigurt. E gjitha kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Dhe jam i detyruar nga betimi im të mos spekuloj ose të hamendësoj”, tha ai.
Ai shtoi se nuk kishte për qëllim të “luante rolin e detektivit 24 vjet më vonë”, duke theksuar se dëshmia e tij do të kufizohej vetëm në ato që ai mban mend me siguri. Në fund të deklaratës, ish-presidenti u shpreh me ironi: “Meqenëse jam nën betim, nuk do të deklaroj në mënyrë të rreme se mezi pres pyetjet tuaja. Por jam i gatshëm t’u përgjigjem atyre sa më mirë që të mundem.”
Clinton deklaroi se, nëse do të kishte pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein, do ta kishte denoncuar vetë tek autoritetet.
Hillary Clinton: “Teatër politik partizan”
Përpara komisionit dëshmoi për rreth gjashtë orë edhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e cila tha se nuk kishte asnjë dijeni për aktivitetet e paligjshme të Epstein.
Ajo e cilësoi seancën si “teatër politik partizan”, duke akuzuar republikanët se po e përdorin çështjen për të shpërqendruar vëmendjen nga çështje të tjera politike.
“Ju më detyruat të dëshmoj, duke e ditur se nuk kam asnjë informacion që mund të ndihmojë hetimin tuaj, vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga veprimet e presidentit Trump”, deklaroi ajo.
Hillary Clinton shtoi se nëse komisioni do të ishte serioz për të zbardhur të vërtetën mbi krimet e Epstein-it, do të thërriste nën betim edhe presidentin aktual, duke theksuar se emri i Donald Trump shfaqet shpesh në dokumentet e publikuara të çështjes.
Përplasje politike dhe tension në seancë
Republikanët njoftuan se planifikojnë të publikojnë videon e plotë të dëshmisë së Hillary Clinton në ditët në vijim. Gjatë seancës pati edhe tensione, pasi deputetja Lauren Boebert shpërndau një foto të Hillary Clinton tek komentatori konservator Benny Johnson, i cili e publikoi atë në rrjetet sociale. Avokatët e Clinton protestuan, duke e cilësuar situatën absurde, pasi seanca nuk ishte publike ndërkohë që imazhet po qarkullonin online.
Republikanët ngritën pyetje edhe për financimet e Epstein ndaj fondacionit të Bill Clinton dhe për praninë e Ghislaine Maxwell në dasmën e vajzës së tyre, Chelsea. Hillary Clinton u përgjigj se nuk kishte qenë e përfshirë në financimet e përmendura dhe se Maxwell kishte qenë e ftuar nga një tjetër mysafir.
Debati vazhdon
Çështja Epstein vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta në politikën amerikane, duke thelluar ndarjet mes demokratëve dhe republikanëve. Ndërsa sot është radha e Bill Clinton për të dhënë shpjegime më të detajuara mbi kontaktet e tij profesionale me Epstein, mbetet për t’u parë nëse komisioni do të ndërmarrë hapa të ngjashëm ndaj figurave të tjera politike të përmendura në dokumentet e publikuara.
Seanca pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën politike në Uashington, në një moment kur përplasjet mes palëve janë më të forta se kurrë.



