Emri i ish‑ministres së Jashtme Elisa Spiropali është kthyer në vëmendje, pas shkarkimit të saj nga Kryeministri Edi Rama.
Pas vendimit, Spiropali reagoi publikisht me një mesazh në rrjetet sociale, duke nënvizuar se largimi i saj nga detyra “nuk është fund i rrugëtimit”, por thjesht përfundim i një detyre të caktuar. Ajo theksoi se politika “nuk është zotërim apo pronësi personale, por kujdestari e përkohshme e institucioneve”.

Por si arriti Spiropali që nga organizata “Mjaft” e Erion Veliajt, të bëhet e preferuara e kryeministrit Edi Rama”?
Kujtojmë se karriera e saj qeveritare filloi rrëmbyeshëm. Pas një periudhe si drejtore e Dogananave të Shqipërisë (2009-2015), ajo u emërua në poste gjithnjë e më të larta brenda qeverisë dhe Parlamentit. Nga 2019-2024 shërbeu si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ku ngriti profilin politik të saj dhe u bë një figurë kyçe në lidhjen mes qeverisë dhe legjislativit. Më 30 Korrik 2024 ajo u zgjodh Kryetare e Kuvendit, dhe në Shtator 2025 mori postin e Ministres së Jashtme.
Përgjatë këtyre viteve, ndaj saj janë hedhur akuza për pasurim shpejtë dhe të dyshimtë si dhe për përdorim të posteve dhe pushtetit që ka pasur.
Akuza konkrete për skemë korrupsioni dhe konflikt interesi
Në një denoncim të bërë në vitin 2019, Partia Demokratike publikoi një “skemë korruptive dhe konflikt interesi”, sipas të cilës familjarë të Spiropalit, përfshirë vëllain dhe bashkëshortin kanë përfituar fonde publike dhe kontrata tenderësh në vlera të konsiderueshme.

Sipas PD, një grup kontratash me vlerë rreth 550 milionë lekë u morën nga kompani të lidhura me familjen e Spiropalit përmes proceseve që dyshohen si konflikt interesi.

Sipas denoncimit të PD, vëllai i Spiropalit kishte themeluar një kompani që më pas fitoi tenderë publikë me vlera të konsiderueshme gjatë kohës kur Elisa Spiropali ishte drejtuese e Doganave dhe në poste të tjera.

Përfitimet përfshinin kontrata të dhëna përmes institucioneve publike, ndërkohë që kompania u transferua më pas te një i afërm tjetër, në një proces që kritikët e përshkruan si shpjegim për fshehje të konfliktit të interesit dhe përfitim të paligjshëm.

Partia Demokratike kërkoi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të nisë hetim për pasurinë e Spiropalit dhe familjes së saj.
Elisa Spiropali ka reaguar ndaj këtyre akuzave, duke mohuar se vëllai apo familjarët e saj kanë përfituar kontrata apo fonde publike, dhe ka deklaruar se do të padisë zyrtarët që kanë shpërndarë këto denoncime si shpifje në gjykatë.
Por deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim të tillë.
Deklarimet zyrtare të pasurisë
Nga të dhënat zyrtare të deklarimeve të pasurisë, të paktën nga 2021-2024, Spiropali ka deklaruar të ardhura kryesisht nga paga si ministre dhe si deputete, si dhe një gjendje relativisht të vogël cash apo në llogari bankare, pa të ardhura të mëdha nga bizneset private apo investime të tjera të paluajtshme.
Të dhënat e publikuara nuk tregojnë përfitime të dukshme të paligjshme nga aktivitetet private gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Por, në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2013, pasuria e saj familjare kapte vlerën rreth 2.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018 ishte rritur në rreth 5.8 milionë lekë gati dyfishimi i vlerës në pesë vjet.
Struktura e kësaj pasurie përbëhet kryesisht nga kursime në cash (rreth 3.4 milionë lekë), likuiditete bankare (1.5 milionë lekë) dhe automjete me vlerë totale rreth 800 mijë lekë. Të ardhurat familjare për këtë periudhë janë rreth 9.7 milionë lekë, kryesisht nga pagat e Spiropalit dhe bashkëshortit të saj./E Vërteta.al (E. S)
Rama “fshin” Ballukun dhe Spiropalin nga Qeveria/ Zbardhen emërimet e reja



