back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 27 Mars, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëKush e mbron pronën publike?/ Beteja që vendos fatin e shtetit

Kush e mbron pronën publike?/ Beteja që vendos fatin e shtetit

Nga Hysen Myzyri

Pak ditë më parë përgjatë një ndërhyrje për shëmbjen e një objekti të ndërtuar paleje, në pronë publike, shkelësi i ligjit iu drejtua personalisht vëtë “prishësit” Drejtorit të IMT Tiranë, zotit Rigers Sheqeri duke i thënë se këtë objekt që po shkatërrohet pa pikë mëshire, ai e kish ndërtuar me djersë dhe me gjak…

Rigers Sheqeri

Përgjigja ishte e menjëherëshme prej vëtë “prishësit” gjakftohtë, duke i thënë uzurpuesit se pikërisht në vendin që ai kish zgjedhur të ndërtonte paleje, ajo pronë ishte ndërtuar kohë më parë me “me gjakun” e të gjithë shoqërisë, duke i lënë të kuptojë grabitqarit, se e drejta ishte në anën e duhur, përpos rolit të viktimës, që shpesh herë grabitqarët e regjur të pronave qoftë publike apo private, përpiqen të luajnë me emoncionet e personave që nuk janë të rrahur me këto punë.

Për fat të keq uzurpimi i pronës publike është kthyer në trend të kohës prej dekadash në vendin tonë dhe është bërë një mënyrë jetese për një pjesë të konsiderueshme të shtetasve shqiptarë duke përbërë në këtë mënyrë një padrejtësi të thellë, sepse nuk prek vetëm një individ, por minon vetë themelet e bashkëjetesës shoqërore. Ky lloj trendi makabër shoqërohet me një indiferëncë të madhe shoqërore a thua që ne si shoqëri shqiptare i kemi shpallur luftë pronës publike.

Ky lloj trendi famëkeq në se nuk do të ndalej me forcë dhe guxim do të krijojë çdo ditë edhe më tepër një precedent ogurzi dhe të rrezikshëm, ku ligji do relativizohet dhe barazia para tij zhduket dhe shqiptarët do të mbeten në jetë të jetëve pa pronë publike. Ata do të enden si zombie të ngujuar në kullat e tyre pa jetë sociale. Në se të qëllon të shkosh në terren ku të shkatërrosh një ndërtim paleje nuk është aspak e thjeshtë, shpesh këto veprime justifikohen me argumente emocionale prej grabitqarëve, “e kam ndërtuar me gjak”, “kam sakrifikuar për këtë”, ky është një shtet xhelat… etj, si këto. Por, shteti nuk mund të funksionojë mbi bazën e emocioneve individuale të askujt.

Në se çdo individ do të legjitimonte përvetësimin e pronës publike me mundin e tij, atëherë vetë koncepti i pronës së përbashkët do të zhdukej dhe bashkë me të, edhe vetë shteti që aspirojmë. Asnjë grabitqar nuk merr në konsideratë faktin se në një kuptim më të thellë, prona publike është ndërtuar simbolikisht “me gjakun” e të gjithë shoqërisë përmes historisë, sakrificave dhe përpjekjeve kolektive për të ndërtuar një shtet funksional.

Për hir të së vërtetës ta cenosh atë, do të thotë të cenosh vetë këtë trashëgimi të përbashkët. Konkretisht duam apo nuk duam në themelin e rendit tonë juridik qëndron një tension shumë i madh ndërmjet interesit privat dhe interesit publik dhe për këtë gjykatat dhe prokuroritë tona si askund nëpër europë ku po përpiqemi të hyjmë, janë mbushur me qindra konflikte si civile dhe penale, që nuk kanë ndërmend të ndalojnë prej këtyre grabitqarëve. Ata shpesh nuk janë njerëz të thjeshtë që punojnë për bukë goje, por në shumicën e rasteve janë njerëz të pangopur që duan të dënden me gjak publik.

Njëkohësisht, nga ana tjetër ky nuk është thjesht një debat teorik, por një realitet i përditshëm, që prek mënyrën se si ndërtojmë, jetojmë dhe bashkëjetojmë në një shoqëri të organizuar. Padyshim që interesi privat, si shprehje e të drejtës së individit mbi pronën dhe frytin e punës së tij, është një nga shtyllat e lirisë sonë moderne. Ai buron nga ideja se njeriu ka të drejtë të zotërojë, të zhvillojë dhe të mbrojë atë që ka fituar me mundin e vet.

Por mos harrojmë se kjo e drejtë nuk është absolute. Ajo kufizohet tërësisht aty ku fillon interesi i përgjithshëm, interesi publik që po shkallëmojmë çdo ditë. Vetë interesi publik përkundrazi, nuk është pronë e askujt në veçanti, por e të gjithëve së bashku.

Ai përfaqëson hapësirën e përbashkët territorin, mjedisin, infrastrukturën, rendin urban dhe vetë autoritetin e shtetit. Është pikërisht ky interes që garanton që shoqëria të mos kthehet në një bashkësi individësh të izoluar, por të funksionojë si një organizëm i rregulluar. Në këtë kontekst, fenomeni i ndërtimeve pa leje, i ndërtimeve kërpudhë veçanërisht mbi prona publike, përbën sot një nga sfidat më serioze të shtetit të së drejtës. Edhe ndërtimi mbi pronën e tjetrit është padyshim një shkelje e rëndë, por mbetet një konflikt ndërmjet dy subjekteve të caktuara. Ndërsa ndërtimi “sypatrembur” mbi pronë publike është një akt që cenon gjithë komunitetin.

Ai është uzurpim i të përbashkëtës dhe një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj rendit juridik megjithëse uzurpuesit, grabitqarët, tahmaqarët dhe të gjithë zullumqarët marrë së bashku, bëjnë sikur nuk kuptojnë. Pse, atëherë, ky fenomen vazhdon? Natyrish që kemi plot dobësi institucionale, tolerancë politike ndër vite, mungesë edukimi juridik dhe një perceptim i gabuar se prona publike është “e askujt”.

Kjo është ajo që në teori njihet si tragjedia e të përbashkëtës kur ajo që i përket të gjithëve, në praktikë shpërdorohet nga individët. Eksperienca ndërkombëtare tregon se kjo betejë fitohet vetëm përmes një shteti të fortë ligjor. Një shteti që nuk toleron askënd.

Në vendet ku prona publike respektohet, ligji zbatohet pa përjashtim, ndëshkimet janë reale dhe të menjëhershme, ndërsa edukimi qytetar është pjesë e kulturës së përditshme. Askush nuk e mendon si të mundshme të ndërtojë mbi një hapësirë publike, sepse pasojat janë të sigurta dhe të paevitueshme. Në këtë kuadër, roli i institucioneve që mbrojnë territorin është thelbësor. Ato janë shpesh në vijën e parë të një konflikti të ashpër midis interesit individual dhe atij publik. Veprimet e tyre mund të duken të forta, madje edhe të dhimbshme për individin, por në thelb ato përfaqësojnë rikthimin e drejtësisë dhe rivendosjen e autoritetit të shtetit.

Në fund të fundit, çështja nuk është vetëm juridike. Ajo është thellësisht kulturore dhe morale. Një shoqëri bëhet e drejtë dhe funksionale kur qytetarët e saj e kuptojnë kufirin midis “times” dhe “tonës”. Kur respektojnë rregullin jo nga frika e ndëshkimit, por nga ndërgjegjja se pa rregull nuk ka liri. Prandaj në këtë kontekst, me tërë sinqeriten tim dhe me eksperiencën time personale në një rast të tillë, do t’i quaja heronj të vërtetë institucionet që ruajnë dhe ushtrojnë një veprimtari të tillë.

Në këtë detyrë duhet të kesh një zemër dhe një kurajë civile shumë të madhe e cila duhet vlerësuar dhe respektuar nga të gjithë, përveç grabitqarëve. Personalisht vetë Drejtorin e përkushtuar dhe të guximshëm të IMT Zotin Rigers Sheqeri dhe stafin e tij që çdo ditë pastrojnë kërpudhat dhe nishanet e këqija që kanë mbirë mbi trupin e vendit tonë të bukur, do t’i vlerësoja si krenari kombëtare që i kthejnë imazhin vendit.

Pra, vetëm atëherë kur do të zbatojmë ligjin dhe kur do ta pranojmë atë si pjesë të identitetit tonë qytetar, vetëm atëherë prona publike do të pushojë së qeni një koncept abstrakt dhe do të kthehet në atë që duhet të jetë pasuria e përbashkët e një shoqërie që respekton veten.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat