Megjithëse seanca plenare është shoqëruar me akuza dhe tone të forta politike, kryesisht nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj qeverisë, në Kuvend është vënë re një klimë e pazakontë konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës.
Shumica socialiste dhe opozita kanë diskutuar larg vëmendjes së mediave në Komisionin e Jashtëm për një draft-rezolutë të përbashkët mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dokument i cili pritet të miratohet me votat e të dyja palëve.
Opozita deklaroi publikisht se mazhoranca “u dorëzua” përballë kërkesave të saj, duke pranuar disa prej propozimeve të Partisë Demokratike në tekstin final të draftit.
Një nga pikat kryesore të dokumentit lidhet me angazhimin për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
“…Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në draft-rezolutë.
Sipas opozitës, kjo pikë është përfshirë pas debatit të shkaktuar nga letra e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vučić për një model anëtarësimi pa të drejtë vetoje.
Drafti parashikon gjithashtu angazhime reciproke mes mazhorancës dhe opozitës për funksionimin normal të jetës parlamentare dhe forcimin e dialogut politik.
“Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare… Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare… Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik”, thuhet në dokument.
Një tjetër moment që tregoi afrimin mes palëve u regjistrua gjatë fjalës së Berishës në Kuvend. Ndryshe nga seancat e mëparshme, kur deputetët socialistë kërkonin largimin e tij sapo përfundonte koha në foltore, këtë herë kreu i grupit parlamentar të PS-së kërkoi që Berishës t’i jepej edhe një minutë shtesë nga koha e socialistëve.



