back to top
24.5 C
Tirana
E martë, 12 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaAkuza për blerje votash me investime elektrike/ Zbardhen dëshmitë në gjyqin ndaj...

Akuza për blerje votash me investime elektrike/ Zbardhen dëshmitë në gjyqin ndaj kryebashkiakut Shkreli

Këtë të martë, në Gjykaten e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Vau i Dejës, Kristian Shkreli, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.

Gjatë seancës dëshmoi shtetasi me iniciale A.L., i cili deklaroi se nuk e njeh personalisht kryebashkiakun dhe sqaroi se puna e tij kishte të bënte me shtrirjen e linjave elektrike në disa fshatra të Shkodrës.

Avokatja mbrojtëse e Shkrelit e cilësoi procesin “qesharak”, duke theksuar se kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Dëshmitari tela ka shtruar. Ky proces po bëhet qesharak, sepse kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë krim, për sa kohë u ka ofruar mbështetje banorëve për nevojat e tyre, ndërsa investimi është kryer nga OSHEE”, deklaroi ajo para trupës gjykuese.

Nga ana tjetër, prokurori i Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dritan Prenci, kundërshtoi dëshminë, duke pretenduar se ajo binte në kundërshtim me deklarimet e mëparshme të dhëna gjatë hetimeve paraprake.

“Dëshmitari ka dhënë tjetër deklaratë gjatë hetimit paraprak”, u shpreh prokurori.

Në seancë dëshmoi edhe një tjetër elektricist i OSHEE-së, i cili tregoi se ishte dërguar për të punuar në fshatin Stajkë, në kuadër të një remonti të linjës elektrike.

I pyetur nga SPAK nëse punimet kishin lidhje me periudhën zgjedhore, dëshmitari deklaroi se nuk mbante mend kohën e saktë të ndërhyrjes.

“S’e mbaj mend hiç. Mua më çoi shefi im J.D. për të shtruar një kabull”, tha ai, duke shtuar se në terren kishte edhe banorë vendas dhe elektricistë të tjerë të OSHEE-së.

Dëshmitari theksoi gjithashtu se nuk e njihte Kristian Shkrelin dhe nuk kishte pasur asnjë komunikim me të.

Sipas SPAK, Kristian Shkreli dyshohet se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në vota në favor të Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Hetimet pretendojnë se ai ka qenë aktiv në fushatën elektorale, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të Stajkës për ndërtimin e rrjetit elektrik. Sipas akuzës, investimi është realizuar gjatë fushatës zgjedhore dhe në këmbim banorëve u është kërkuar të votojnë për PSD-në.

Çështja ndaj kryebashkiakut të Vau i Dejës vijon të shqyrtohet në GJKKO.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat