Pas reagimit nga Prokuroria e Përgjithshme, një sqarim ka ardhur edhe nga Gjykata e Lartë lidhur me pretendimet për një sulm kibernetik nga grupi “Homeland Justice”.
Në një reagim zyrtar, Gjykata e Lartë bën me dije se nuk ka qenë objekt i asnjë sulmi kibernetik dhe se sistemi i saj i brendshëm funksionon normalisht.
Sipas sqarimit, pretendimet për sulm lidhen me faqen “gjykata.gov.al”, e cila nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik, por sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, ka pësuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGJ dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”, thuhet në reagim.
Institucioni thekson se faqja në fjalë është e ndarë nga infrastruktura e brendshme e Gjykatës së Lartë, duke përjashtuar çdo ndikim të mundshëm në sistemet e saj.
Reagimi vjen në një kohë kur janë shtuar pretendimet për sulme kibernetike ndaj institucioneve publike, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.



