Një situatë që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë është regjistruar pranë ambienteve të SPAK, ku një qytetare që kërkonte të paraqiste një shqetësim për pronat e saj është ndalur dhe më pas është nxjerrë jashtë nga shërbimi i sigurisë.
Në thelb të ngjarjes nuk qëndron vetëm një episod individual, por një problem më i thellë institucional, mënyra se si trajtohet qytetari që kërkon të aksesojë drejtësinë në një institucion, që ekziston pikërisht për të hetuar dhe adresuar shqetësimet e tij.
Rasti ngre një debat të drejtpërdrejtë mbi aksesin real të qytetarëve në institucionet që, në thelb, ekzistojnë për t’u shërbyer atyre. Në një shtet demokratik, ku strukturat e hetimit dhe ndjekjes penale financohen nga buxheti publik, pra nga taksat e qytetarëve dhe kanë misionin të garantojnë drejtësi, jo të krijojnë barriera fizike dhe procedurale për kontaktin me publikun.
Por, sot qytetarja në fjalë është përballur me një realitet tjetër, me një institucion të rrethuar nga barriera fizike, ku aksesin e zëvendëson siguria dhe ku komunikimi me publikun duket i filtruar deri në pamundësi.
Institucione që flasin për drejtësi, por mbyllen ndaj qytetarit
Rasti nxjerr në pah një kontradiktë të dukshme se sa më shumë rritet diskursi institucional për “luftë kundër korrupsionit” dhe “shtet të së drejtës”, aq më i vështirë bëhet për qytetarin e zakonshëm kontakti me vetë institucionin.
Në vend të një dere të hapur për denoncim, qytetari përballet me kangjella. Në vend të një strukture që dëgjon, përballet me një sistem që e delegon kontaktin te siguria.
Ky nuk është thjesht një problem protokolli. Është një problem perceptimi dhe funksionimi. Pyetja shtrohet, se a është drejtësia një shërbim publik apo një strukturë e distancuar nga publiku që e financon?
Heshtje institucionale
Deri në këtë moment nuk ka një reagim nga SPAK mbi rastin apo mbi mënyrën se si trajtohen qytetarët që paraqiten fizikisht për të ngritur shqetësime.
Në mungesë të transparencës dhe komunikimit, ngjarje të tilla nuk mbeten vetëm episode të izoluara, por kthehen në sinjale të forta për një problem më të thellë si distanca në rritje mes institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve, që ato duhet të shërbejnë.
“Kam 7 vite që i lutem Majlinda Carës”/ Qytetarja ngjitet në dyert e SPAK



