Të shtënat me armë, që pretendohet se kanë ndodhur katër ditë më parë në zonën e Rrjollit, vijojnë të mbeten një “mister”, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga reagimi i Policisë së Shtetit, e cila ka përgënjeshtruar ngjarjen.
Në një prononcim për mediat lokale, banorja Luçiana Kokaj reagoi e irrituar, duke kërkuar që autoritetet të zbardhin sa më parë situatën dhe të sqarojnë nëse të shtënat përbënin kërcënim për banorët apo për efektivët e policisë.
Ajo ngriti pikëpyetje mbi veprimet e ndërmarra nga policia në terren, duke përmendur lëvizjen e një furgoni policie drejt bregdetit dhe shoqërimin e disa qytetarëve në komisariat. Sipas saj, këto veprime bien ndesh me deklaratat zyrtare se nuk ka pasur të shtëna.
“Le të na sqarojë Policia pse u ndërmorën këto veprime, nëse nuk ka pasur krisma armësh. I gjithë fshati i ka parë shoqërimet dhe ndërhyrjet në zonë,” u shpreh Kokaj.
Banorët e Rrjollit kanë ngritur shqetësimin për të shtëna me armë gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa kërkojnë transparencë dhe hetim të plotë të ngjarjes.
Nga ana tjetër, Policia e Shkodrës ka deklaruar se, pas verifikimeve në terren dhe marrjes në pyetje të rojeve të një kantieri ndërtimi si dhe qytetarëve të pranishëm, nuk janë konfirmuar të shtëna me armë zjarri.
Pavarësisht kësaj, banorët këmbëngulin se ngjarja ka ndodhur dhe se ndihen të pasigurt pas mohimit zyrtar. Kokaj theksoi se komuniteti nuk ka gënjyer për asnjë nga pretendimet e ngritura dhe kërkoi që e vërteta të dalë në dritë.
“Pas deklaratës së Policisë, ne ndihemi edhe më të kërcënuar,” përfundoi ajo.



