Menjëherë pas raportimeve për të shtëna gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpia e Bardhë të shtunën mbrëma, rrjetet sociale u përfshinë nga një valë e madhe teorish konspirative, spekulimesh dhe pretendimesh të pakonfirmuara.
Ngjarja, e cila ende është nën verifikim nga autoritetet, u shoqërua menjëherë me një “eksplozion” postimesh në platforma si X (ish-Twitter), Facebook dhe TikTok, ku përdorues dhe influencues të ndryshëm filluan të mbushin boshllëkun e informacionit me hipoteza të ndryshme, shpesh pa asnjë provë.
Sipas të dhënave të kompanisë së analizës së mediave sociale TweetBinder, deri në mesditën e së dielës më shumë se 300 mijë postime në platformën X përdornin termin “staged” (inskenuar), duke sugjeruar pa fakte se sulmi mund të kishte qenë i organizuar për qëllime politike.
Në disa prej këtyre postimeve pretendohej se ngjarja ishte inskenuar për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillime politike të tjera, përfshirë sondazhe negative apo tensionet ndërkombëtare. Megjithatë, një pjesë e përdoruesve e kundërshtuan menjëherë këtë narrativë, duke theksuar mungesën e çdo prove.
Në rrjet u përhapën gjithashtu pretendime kontradiktore, përfshirë lidhje të paargumentuara të autorit të sulmit me kauza politike apo grupe të ndryshme. Disa përdorues shkuan më tej duke përdorur imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale për të mbështetur teori të ndryshme, duke shtuar konfuzionin online.
Në këtë vorbull informacionesh, u përfshinë përdorues nga të gjitha spektrat politikë, ndërsa disa përmbajtje u amplifikuan edhe nga media ndërkombëtare si kanali shtetëror rus RT në platformën X.
Rezultati ishte një përplasje e menjëhershme narrativesh, ku brenda pak minutash nga publikimi i lajmit filluan të qarkullojnë dhjetëra versione të ndryshme të ngjarjes. Ekspertët paralajmërojnë se këto narrativa shpesh vazhdojnë të qarkullojnë për ditë apo javë, edhe pasi faktet zyrtare bëhen të qarta.
“Shumë njerëz e riformësojnë realitetin sipas asaj që duan të besojnë,” u shpreh Cliff Lampe, profesor në University of Michigan. “Ata nuk kërkojnë informacion të saktë, por informacion që konfirmon bindjet e tyre.”
Një nga pretendimet më të përhapura ishte se sulmuesi ishte vrarë në vendngjarje, ndërkohë që autoritetet konfirmuan se ai ishte arrestuar. Edhe pse disa përdorues më vonë korrigjuan postimet e tyre, këto përgënjeshtrime morën dukshëm më pak vëmendje se informacioni i parë i gabuar.
Sipas ekspertëve të komunikimit digjital, një nga arsyet kryesore të përhapjes së spekulimeve është edhe motivimi për vëmendje dhe përfitim në rrjetet sociale, sidomos në platforma ku ndërveprimi dhe shikimet mund të sjellin të ardhura.
“Për të nxjerrë të vërtetën dhe për të verifikuar faktet duhet kohë,” tha Amanda Crawford nga University of Connecticut. “Por publiku shpesh nuk ka durim dhe krijohen narrativa të menjëhershme që i përgjigjen asaj që njerëzit duan të dëgjojnë.”
Ngjarja po shihet si një tjetër shembull i mënyrës se si krizat e informacionit në kohë reale mund të shndërrohen shpejt në beteja narrativesh në internet, ku e vërteta shpesh mbetet e fundit që arrin audiencën.



