Një zhvillimpolitik ka ndodhur në Partine Demokratike në Gjirokastër, ku kandidati për drejtimin e degës, Armando Rabi, është tërhequr nga gara duke hedhur akuza të ashpra ndaj strukturave drejtuese të partisë.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rabi deklaron se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejtë dhe se sipas tij, gara është deformuar dhe ndikuar nga interesa personale.
“Në PD-në e Gjirokastrës gara nuk lejohet dhe seksionet nuk ekzistojnë,” shkruan ai, duke pretenduar se strukturat bazë të partisë janë vetëm formale dhe jo funksionale.
Rabi shprehet se ka kërkuar respektimin e statutit dhe zhvillimin e një gare të ndershme, por sipas tij, procesi është manipuluar.
“Gara u hap, por jo për të qenë e lirë, por për t’u kapur, për t’u manipuluar, për t’u mbytur nga intrigat dhe propaganda,” shkruan ai në deklaratën e tij.
Ai shkon më tej duke akuzuar se në strukturat drejtuese është pranuar hapur se kandidatura e tij përbënte problem për garën.
“Sipas tij, në kryesi është thënë hapur: nëse Armando është në garë me këtë ish-kryetar, e ka të fituar,” thuhet në postim, duke ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit.
Rabi akuzon gjithashtu se dega e Partia Demokratike e Shqipërisë në Gjirokastër është kthyer në një strukturë të dobët, ku mungojnë seksionet dhe nuk ka përfshirje reale të demokratëve.
“Strukturat janë vetëm në letër. Seksionet nuk ekzistojnë. Demokratët nuk dëgjohen,” shkruan ai.
Në deklaratën e tij, ai flet edhe për “pazare” dhe interesa personale që sipas tij kanë deformuar funksionimin e partisë në nivel lokal.
“Jo për demokratët, por për interesa personale. Jo për partinë, por për pazare,” thekson Rabi.
Pavarësisht tërheqjes nga gara, ai deklaron se nuk largohet nga angazhimi politik dhe nga mbështetja për demokratët.
“Unë jam një demokrat si ju… sot po largohem nga një garë e deformuar, por nuk po largohem nga ju,” shkruan ai.
Ngjarja pritet të sjellë reagime brenda Partia Demokratike e Shqipërisë, në një moment kur proceset e brendshme zgjedhore në degë të ndryshme të saj janë nën vëmendje të shtuar politike.



