Komisioni Europian ka paralajmëruar se ekonomia shqiptare pritet të hyjë në një fazë ngadalësimi gjatë dy viteve të ardhshme, mes pasigurive globale dhe rritjes së çmimeve të energjisë.
Në raportin e pranverës, Brukseli parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të zbresë në 3.3% gjatë viteve 2026 dhe 2027, nga niveli 3.7% i regjistruar për vitin 2025.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërsa turizmi pritet të mbetet një ndër motorët kryesorë të rritjes ekonomike, edhe pse mund të shfaqë shenja ngadalësimi.
“E mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe investimet në mes të pasigurisë së shtuar të jashtme, rritja ekonomike pritet të moderohet. Inflacioni parashikohet të rritet në vitin 2026, i nxitur nga çmimet më të larta të energjisë pas konfliktit në Lindjen e Mesme”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Sipas parashikimeve, inflacioni do të mbetet pranë objektivit prej 3% të Banka e Shqipërisë, ndërsa ekonomia shqiptare do të përballet me sfida të lidhura me zhvillimet ndërkombëtare dhe kostot e energjisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Brukseli lidhet me tregun e punës dhe emigracionin. Edhe pse niveli i papunësisë pritet të mbetet i ulët, Komisioni Europian vlerëson se emigracioni vazhdon të mbetet problematik për ekonominë shqiptare dhe forcën e punës.
Raporti thekson gjithashtu se deficiti buxhetor pritet të zgjerohet gjatë vitit 2026, përpara se të ngushtohet në vitin 2027. Ndërkohë, borxhi publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto parashikohet të vijojë rënien, i ndihmuar nga ritmet e rritjes nominale të ekonomisë.
Megjithatë, Komisioni Europian vlerëson se përparimi në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian mund të krijojë efekte pozitive për ekonominë, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe besimin ekonomik në vend.



