Një ditë pasi deklaroi publikisht se Aeroporti i Vlorës nuk është më në pronësinë e tij, biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj Policia e Shtetit, duke e akuzuar për tejkalim kompetencash dhe presion ndaj stafit të kompanisë së tij që operon në aeroport.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli pretendon se prej katër ditësh forcat e policisë po pengojnë hyrjen e inxhinierëve, specialistëve dhe punëtorëve shqiptarë e të huaj në vendet e tyre të punës, duke krijuar tension dhe pasiguri brenda ambienteve të aeroportit.
Sipas tij, mes personave të bllokuar ndodhen edhe mbi 50 specialistë kinezë, të cilët po përballen me kufizime të lëvizjes dhe mungesë të kushteve normale për jetesë dhe punë.
“Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror”, shkroi Pacolli.
Ai akuzoi policinë për ushtrim presioni përmes “dhunës verbale, fyerjeve dhe kërcënimeve”, ndërsa shtoi se përdorimi i uniformës shtetërore për interesa të tjera cenon besimin e qytetarëve te shteti dhe drejtësia.
Reagimi i Pacollit vjen vetëm një ditë pasi ai pranoi publikisht se nuk do të vazhdojë përplasjen me shtetin për Aeroportin e Vlorës, pavarësisht se pretendon se ka investuar rreth 310 milionë euro nga fondet e tij personale.
“Nuk do të luftoj me shtetin, është më i fuqishëm”, deklaroi ai, duke u shprehur i pafuqishëm përballë institucioneve shtetërore.
Biznesmeni kërkoi sqarim të menjëhershëm institucional dhe ndërhyrje ligjore për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për punë të të gjithë personave të përfshirë në projektin e aeroportit.
Behgjet Pacolli tërhiqet nga Aeroporti i Vlorës: Nuk luftoj me shtetin



